Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Dita 9

Kampanja

Dita 9 - Dhjetor, 03 2013
Luftimi i stigmës të krimeve seksuale
 
Gratë që kanë pësuar dhunë seksuale të ndërlidhur me konfliktin e armatosur në Kosovë duhet të kompensohen dhe të ri-integrohen në shoqëri. Përmes fushatave të ndërgjegjësimit popullata duhet të informohet se të qënit e dhunuar gjatë konfliktit nuk është diçka për t'u turpëruar. Stigma sociale me të cilën ballafaqohen këto gra duhet të pranohet nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Dhënia ndihmë grave që kanë pësuar dhunë seksuale të ndërlidhur me konfliktin e Kosovës në vitin 1999 nuk është një gjë e lehtë për tu bërë. Aktivistë dhe hetues të ndryshëm po kalojnë një kohë të vështirë duke siguruar ndihmën e nevojshme, për shkak të burimeve të kufizuara dhe stigmës shoqërore që i rrethon gratë që kanë përjetuar sulme të rënda seksuale, trauma seksuale dhe dhunim gjatë konfliktit.
Kadire Tahiraj, drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Gllogovc, thotë se qendra identifikon gratë që ishin objekt i dhunës seksuale gjatë konfliktit. “Për shkak të mungesës së stafit të trajnuar të specializuar, ne i referojmë ato tek Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës që ofron rehabilitim dhe shërbime të tjera mjekësore”, thotë Tahiraj duke shtuar se ajo është e motivuar për të ndihmuar në riintegrimin në shoqëri të grave që janë përdhunuar gjatë vitit 1999, kështu që ato të mos ndihen të anashkaluara dhe të turpëruara. 

Dhënia ndihmë grave që kanë pësuar sulme të rënda seksuale
“Konkretisht ne avokojmë për këto viktima, për shembull vitin e kaluar për 8 mars Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës ka organizuar një protestë paqësore për të ngritur zërin dhe për të kërkuar ndihmë për këto viktima kështu që ne mund ti ndihmojmë nënat, motrat tona sepse ato sakrifikuan për lirinë e Kosovës”, shton Tahiraj duke sqaruar se qendra u vizitua edhe nga presidententja Atifete Jahjaga, e cila sipas Tahirajt e ka shprehu vullnetin për ti ndihmuar këto viktima. “Për këto viktima duhet të bëjnë jo vetëm institucionet e shtetit dhe shoqëria por edhe njerëzit duhet me ju ndihmu këtyre viktimave”, thotë ajo.
Tahiraj thekson se këto gra duhet të ndihmohen ngase ato janë duke u lënë mënjanë nga shoqëria. “Shoqëria i shikon ato ndryshe dhe ato gjithashtu nuk e kanë mbështetjen nga familjet e tyre”, thotë ajo duke shtuar se këto gra duhet të ndihmohen përmes fushatave të avokimit dhe të ndërgjegjësimit në mënyrë që popullsia të filloj ti ndihmoj ato. Shumica e tyre, shton Tahiraj, nuk janë të punësuara dhe nuk janë të arsimuara. “Unë besoj se njerëzit do të jenë më të vetëdijshëm rreth tyre sepse ato asnjëherë nuk kanë qenë fajtore dhe as nuk do të jenë kurrë fajtore”, thekson Tahiraj.
Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Gllogovc, thotë ajo gjithashtu është e mbështetur financiarisht me një buxhet simbolik nga Nexhat Demaku kryetari i komunës së Gllogovcit.
Tahiraj ndjehet e zhgënjyer me fjalimin seksist të bërë prej disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në mars të vitit 2013, diskutonin përfshirjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konfliktit në një amendament në legjislacionin aktual. “Shumë keq më ka ardhur ajo fjalë kur e kam dëgjuar. Viktimat që kanë thirrur, për besë çdo viktimë ka thënë edhe njëherë na vrajtën me dorën e vetë”, thotë Tahiraj duke iu referuar disa deputetëve. Ajo shton se edhepse gratë gjatë luftës nuk u qëlluan me armë ato plagët i kanë të gdhendura në shpirtrat e tyre, dhe për këtë arsye atyre iu duhet dhënë statusi i viktimave të luftës.

Puna e bërë nga EULEX-i
Nina Pelkonen është një oficere i policisë finlandeze e cila punon si hetuese në Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e Ligjit (EULEX), tek njësia e krimeve të luftës me një fokus në dhunën seksuale të ushtruar gjatë konfliktit të Kosovës në vitin 1999.
Sipas Pelkonen ekzistojnë sfida të mëdha në hetimin e këtyre rasteve. Pelkonen dhe kolegët e saj kohët e fundit kanë hetuar disa krime të luftës kundër grave, edhepse në punën e tyre të përditshme ata përballen me shumë sfida. Gatishmëria për të patur qasje në drejtësi dhe dhënia e deklaratës një hetuesi nga gratë që janë viktima është vetëm hapi i parë në procesin e drejtësisë.
Për hetuesit sfidat më të mëdha vijnë pas këtij hapi, sqaron Pelkonen. “Rastet fillojnë bëhen të vjetra dhe të ftohta dhe i gjithë hetimi bazohet në deklarata, fjalë kundër fjalës”, thotë Pelkonen duke shtuar se dëshmitë mbështetëse të tilla si fotot, ADN-ja, etj, nuk ekzistojnë në rastet e krimeve seksuale të kryera gjatë luftës. Duke qënë se Kosova është një vend i vogël ekzistojnë disa probleme në lidhje me konfidencialitetin dhe anonimitetin dhe mbi të gjitha duhet të ketë një kod të sjelljes ndaj viktimës kur ajo ndodhet në gjykatë, thekson Pelkonen. Procesi i drejtësisë, sipas Pelkonen, e ri-traumatizon viktimën. “Ajo duhet të marrë mbështetje psikologjike gjatë gjithë procesit. OJQ-të në përgjithësi janë të mbingarkuara me punë. Si të presim që ato të kenë kapacitet për të bërë këtë? Mbështetja sistematike duhet të vijë nga autoritetet”, shton Pelkonen.



 
 
Bashkëpunimi në mes EULEX-it dhe organizatave të tjera
“95 për qind e punës sime është e lidhur me krime të luftës kundër femrave dhe kjo do të thotë sulm i rëndë seksual ose përdhunim”, thotë Pelkonen duke shpjeguar fushën e ekspertizës së saj. Aktualisht EULEX-i sipas Pelkonen është duke punuar në dhjetë raste që kanë të bëjnë me dhunën seksuale gjatë konfliktit.
“Një rast është ndjekur penalisht pranverën e kaluar dhe ky hetim është bërë nga ekipi i Policisë së Kosovës për hulumtim të krimeve të luftës e që funksionon në kuadër të njësisë sonë dhe aktualisht që ne po flasim ai rast është në gjykatë”, thotë Pelkonen. Ndërkaq ajo shton se gjatë konfliktit gratë e reja ishin përdhunuar shumë herë para gjithë fshatit ose para familjeve të tyre. Procesi i punës sipas saj ka qenë shumë i ngadaltë pasi që ajo kishte nevojë që të krijoj besimin me OJQ-të lokale dhe organizata të tjera, në mënyrë që të jetë në gjendje të bisedoj me gratë që janë përballur me dhunë seksuale gjatë luftës. Megjithatë ajo thotë se nuk e di shifrën e saktë të grave të Kosovës që janë përdhunuar gjatë luftës. “Unë nuk do të thosha se janë dhjetëra mijëra, unë do të thoja vetëm mijëra dhe ky është një vlerësim i imi”, shton Pelkonen duke shpjeguar se shumë organizata dhe OJQ menjëherë pas konfliktit kanë intervistuar gratë e dhunuara, por ato nuk kanë shifra të sakta.
Sipas Pelkonen, EULEX-i duhet të ketë ndihmën e shoqërisë, autoriteteve lokale dhe institucioneve qeveritare që të punoj me ta, ndërsa mbështetja psiko-sociale duhet të vie nga Kosova apo organizata të tjera dhe jo nga EULEX-i.
Gratë që janë abuzuar seksualisht gjatë konfliktit, thotë Pelkonen, janë duke kërkuar mbështetje dhe njohje. “Këto gra, unë mendoj se ato janë duke kërkuar kompensim, si shumë familje të personave të zhdukur që marrin një kompensim mujor që nuk është shumë, por është simbolike, dhe unë mendoj se kjo kategori e grave duhet të ketë të drejtë për kompensim, sidomos ato që e kanë ende sindromën postraumatike dhe probleme të tjera shëndetësore”, thotë kjo hetuese finlandeze e krimeve të luftës e cila në Kosovë po punon që dy vjet.

Rekomandime lidhur me dëmshpërblim
Në raportin “Shërimi i Shpirtit: Reparacionet për të mbijetuarët e dhunës seksuale që ndërlidhen me konfliktin e armatosur në Kosovë”, e porositur nga Zyra e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), u janë sugjeruar autoriteteve të Kosovës rekomandime në lidhje me reintegrimin dhe kompensimin e viktimave që pësuan dhunë seksuale.
Në mesin e rekomandimeve është gjithashtu edhe dispozita e kompensimit mujor individual për të mbijetuarit, ofrimi i mbështetjes së nevojshme për të mbijetuarit e dhunës seksuale, lehtësimi i mundësive të punësimit, qasje ndaj aftësimit profesional, integrimin e të mbijetuarve në zbatimin e Planit të Veprimit të Kosovës për Fuqizimin Ekonomik të Grave 2011-2013, ofrimin e mbështetjes financiare për arsimimin e fëmijëve të të mbijetuarve të dhunës seksuale përmes bursave, granteve, etj, mbështetja e nevojshme për të mbijetuarit më të prekur që edhe ata të gëzojnë të drejtën e tyre për strehim të përshtatshëm.
 
Mesazhi i Kadire Tahirajt për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
Unë quhem Kadire Tahiraj drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave. Mesazhi im është për të rinjtë e Kosovës, për institucionet e Kosovës, për shoqërinë civile, ti mbështesin, ti përkrahin viktimat e keqtrajtuara, dhunuara gjatë luftës. Ato janë nënat tona, ato janë motrat tona. Ato jemi ne, ne jemi ato.

Mesazhi i Nina Pelkonen për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
Në një nga rastet tona ishte një grua që donte të kishte qasje në drejtësi dhe ajo e kishte mbështetjen e burrit të saj, kurse poashtu kishte disa fëmijë të rritur të moshës 20, 18 vjeçare. Dhe kur ajo u drejtua kah unë më tha dëgjo unë nuk do ta bëj këtë gjë sepse fëmijët e mi nuk duan që unë ta bë këtë. Unë i kuptoj sfidat, por nëse brezi i ri, pra të rinjt nuk i mbështesin në përgjithësi gratë që unë i quaj të mbijetuara, sepse duke mbijetuar 15 vjet pas luftës duke bartur këtë barrë, ato i kanë të gjitha të drejtat për mbështetje dhe nëse brezi i të rinjve nuk do të bëjë këtë atëherë kush do ta bëj.

              

 

Komentet

    Komento