Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Dita 8

Kampanja

Dita 8 - Dhjetor, 02 2013
Një zonjë në uniformë
 
Nënkolonelja Afërdita Mikullovci është një grua trime që është ngritur profesionalisht në radhët e Policisë të Kosovës falë përkushtimit për t’i shërbyer komunitetit në qytetin e saj, duke kombinuar gradën me studimet në mësimdhënie dhe juridik. Pas 14 vjetësh në Policinë e Kosovës ajo thotë se prania e femrave është jetike për sektorin e sigurisë në Kosovë.

E rritur në një familje ku gjinia kurrë nuk është konsideruar si çështje me rëndësi, Afërdita Mikullovci në sytë e prindërve të saj është konsideruar gjithmonë e barabartë me të vëllain. Me qëndrimin e të ndjehurit dhe të qënit e barabartë me meshkujt, ajo iu bashkua Policisë së Kosovës gjatë vitit 1999, si pjestare e gjeneratës së parë të oficerëve të policisë. “Profesioni i një oficeri të policisë është që të shërbejë dhe të mbështesë komunitetin me gjithçka që mundemi”, thotë 37 vjeçarja Mikullovci e cila aktualisht është duke shërbyer si nënkolonele dhe si zëvendësdrejtore e hetimit të krimeve në stacionin e policisë - Mitrovica e Jugut. Ajo thotë se edhepse Kosova është një shoqëri patriarkale kjo nuk ka ndikuar në zgjedhjet e bëra nga ajo - duke përfshirë këtu edhe vendimin për t’ju bashkuar Policisë së Kosovës. “Unë e kam vazhduar jetën time duke mos i vërejtur këto pengesa dhe unë nuk i lejoj që ato të jenë para meje”, thotë ajo duke shtuar se “si karakter unë jam shumë e qëndrueshme, vendimtare dhe një person luftëtar dhe kjo është arsyeja pse unë e kam këtë pozitë ku jam tani”, thotë Mikullovci duke theksuar faktin se një grua që të ketë një pozitë vendimmarrëse duhet që të jetë shumë e përkushtuar në arritjen e detyrave të saj. “Më duhet të pranoj se ndoshta dikush tjetër do kishte punuar shumë më pak se sa unë, por unë mendoj se kam punuar shumë dhe ky është një mesazh për të gjitha gratë se nëse ato duan të arrijnë diçka, atëherë duhet të jenë të përkushtuara maksimalisht”, thotë Mikullovci. Duke qenë beqare për të është më e lehtë që ta menaxhoj jetën e saj private me obligimet profesionale. “Unë nuk jam e martuar dhe jetoj me prindërit e mi dhe vëllaun tim dhe obligimet e vetme që i kam janë arsimimi dhe puna”, thotë Mikullovci e cila aktualisht është duke ndjekur një shkollë master për diplomaci.
 
Presioni shoqëror
Mikullovci është e bindur se gratë janë një pjesë e rëndësishme në sektorin e sigurisë në Kosovë. Meshkujt në Policinë e Kosovës, sipas saj, janë më të orientuara kah forca, ndërsa gratë janë më të ndjeshme. “Kur këto atribute të burrave dhe grave bëhen së bashku atëherë ky është një kombinim perfekt për ti shërbyer dhe për t’ju qasur popullit”, tregon ajo. Mikullovci shpjegon se nuk ka përjetuar presion social kur i është bashkuar Policisë së Kosovës. “Për fat të mirë unë kam qenë e pranuar shumë mirë në Policinë e Kosovës dhe unë nuk kam ndonjë problem apo presioni social”, thotë ajo duke specifikuar se mund të flasë vetëm për veten e saj. Megjithatë Mikullovci shton se gratë duhet të punojnë më shumë për të krijuar autoritet në mesin e popullatës së Kosovës. “Fillimisht nisi me një paragjykim, ndodhi që më është thënë se unë nuk do të jem në gjendje të marrë një vendim të qartë kur është e nevojshme, por unë e mora një vendim të tillë me të gjitha masat e duhura”, thotë Mikullovci.

Prania e grave në Policinë e Kosovës
Një nga elementet më pozitive në Policinë e Kosovës, sipas Mikullovcit, është prania e grave. “Kjo është e rëndësishme sidomos për shkak të respektimit të Ligjit për barazi gjinore, është më e lehtë për ne pasi pothuajse të gjitha viktimat dëshirojnë të bisedojnë me police jo sepse ato nuk u besojnë kolegëve meshkuj, por për shkak se ato kanë pësuar dhunë nga një mashkull dhe për këtë arsye ato mund të hezitojnë të takohen me meshkuj”, thotë Mikullovci ndërsa iu referohet viktimave të dhunës gjinore dhe asaj në familje. Mikullovci tregon se kur një grua bisedon me një grua tjetër që është viktimë e dhunës atëherë ajo mund ta kuptoj më mirë vuajtjen e saj. Policia e Kosovës thotë Mikullovci, është njëri prej institucioneve që e ka marrë shumë seriozisht çështjen e dhunës dhe stereotipeve gjinore.
“Ne jemi në mesin e institucioneve që e kanë nënshkruar programin e Kosovës dhe planin e veprimit kundër dhunës në familje 2011-2014”, pohon ahjo. Megjithatë numri i femrave në Policinë e Kosovës , duke përfshirë edhe gratë nga minoritetet ka pësuar rënie. Një hulumtim i bërë në vitin 2010 nga Policia e Kosovës me mbështetjen e UN Women ka treguar se ka pasur një tendencë të rënies së numrit të policeve femra. Në vitin 2010 shifrat kishin zbritur nga 16 përqind në 12.5 përqind. Sa i përket këtyre përqindjeve, nënkolonelja Mikullovci shpjegon se janë rritur në 14.6 për qind dhe se ky trend ka nevojë të rritet edhe më tej. Për më tepër mbetet i ulët përfaqësimi i grave në nivelin më të lartë të vendimmarrjes dhe të përfaqësimit, ndërsa femrat duhet të jenë të përfshira në nivelin e politikave për tu siguruar që sygjerimet e grave dhe vajzave të jenë të përfshira në strategjinë kombëtare të sigurisë.
 
Shoqata e Grave në Policinë e Kosovës
Për t’ju përgjigjur sfidave të ndryshme gratë në Policinë e Kosovës kanë vendosur të krijojnë shoqatën e tyre profesionale. “Ne nuk jemi të kënaqura me këto numra dhe kjo është arsyeja pse është themeluar Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës (ShGPK) dhe një nga objektivat tanë në ShGPK është që të rritet numri i policeve në Policinë e Kosovës dhe për këtë ne duhet të angazhohemi në fushata mediale, të paraqesim suksesin tonë dhe të dërgojmë një mesazh pozitiv për gratë që duan të aplikojnë për tu bërë pjesë e Policisë së Kosovës”, thotë Mikullovci e cila në ShGPK-në e sapokrijuar shërben si anëtare e bordit dhe koordinatore për rajonin e Mitrovicës. “Duke dëgjuar zërin tonë dhe zërin e viktimave tani ne jemi me fat që një numër i ligjeve dhe rregulloreve tjera janë duke u implementuar, përfshirë këtu edhe dokumentet strategjike që parandalojnë dhunën në baza gjinore”, thotë Mikullovci teksa shton se gratë në polici janë përcaktuar për të luftuar dhe parandaluar dhunën gjinore. Ajo tha se plani i veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325 do të miratohet së shpejti nga autoritetet e Kosovës dhe se plani gjithashtu përfshin aktivitete që në mënyrë specifike merren me sigurimin e perspektivës gjinore në sektorin e sigurisë. Roli i ShGPK-së është që të avancojë dhe promovojë pozitën e grave dhe të siguroj përfaqësim më të madh gjinor në të gjitha strukturat e Policisë së Kosovës, si dhe në këtë mënyrë të mundësoj rend dhe siguri për të gjithë. Për më tepër roli i ShGKP-së është që të promovoj rolin e gruas në zbatimin e ligjit dhe parimet e politik-bërjes demokratike dhe të shërbejë si një platformë ku mund të përfaqësohen të drejtat dhe interesat e policeve përmes vendosjes së masave me qëllim të zbutjes dhe kapërcimit të sfidave që ato i hasin në punë. Shoqata është themeluar me përkrahjen afatgjate të UN Women e cila që nga viti 2002 punon ngushtë me Policinë e Kosovës. Themelimi i ShGPK-së është një hap përpara zbatimit në Kosovë të Rezolutës 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Mesazhi i Afërdita Mikullovcit për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
Roli i femrës në hierarkinë e Policisë së Kosovës është shumë i rëndësishëm. Do të thotë kemi të bëjmë me kontributin e femrës në përpilimin dhe hartimin e strategjive të ndryshme për çështje të sigurisë, udhëzimeve administrative të ndryshme, ligjeve të ndryshme aplikative në Kosovë. Një mesazh tjetër do të thotë të cilin e kisha për dhunën, për rininë, dhunën gjinore dhe stereotipet është që kërkojmë nga ata që të harrojnë portretin e femrës si amvise. Nuk ka nevojë që të ngulitet në mendjen e tyre, në kokën e tyre femra amvise, duhet do të thotë që të kenë parasyve një femër kombinim tradicional dhe profesional. Në këtë rast ku kemi vazhduar do të thotë traditat tona si nëna, si motra, si prind do të thotë, shumë të përkushtuara por njëkohësisht edhe profesionalisht të përkushtuara. Ndërsa duhet ta eleminojnë edhe stereotipin për mashkullin i cili është vendimarrës.

 
______________________________________________________________

Pjesëmarrja e grave në sektorin e gjyqësorit është gjithashtu e një rëndësie të madhe për fuqizimin e grave. Lexo profilin e Kada Bunjakut, Kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës këtu, dhe profilin e Katja Dominik, një gjykatëse ndërkombëtare në Gjykatën e Mitrovicës themelore këtu


 
 

 

Komentet

    Komento