Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Dita 6

Kampanja

Dita 6 - Nëntor, 30 2013
Me muzikë kundër dhunës në baza gjinore
 
Këngëtarja Rona Nishliu thotë se përmes muzikës përpiqet që të jetë sa më afër publikut duke dërguar një mesazh që mund të përdoret në jetën e përditshme nga adhuruesit e saj dhe miqtë e tyre. Sipas saj, njerëzit duhet të zgjidhin problemet në mënyrë paqësore dhe jo duke përdorur dhunë.

Interpretimi i veçantë skenik i Rona Nishliut nuk është ndonjë risi për publikun. Pavarësisht a ndodhet në Eurovision apo thjeshtë bën muzikë për qejf me muzikantë të tjerë ajo bëhet një me këngën dhe publikun, gjë që mund të shihet gjatë interpremtimeve të saja tërheqëse për audiencën. Duke qënë se është një artiste me një pasion të madh për këndimin, Nishliu e konsideron muzikën si diçka të shenjtë që e formon personalitetin e saj. Dhe ky emocion pozitiv i krijuar nga ajo transferohet në publik çdo herë që Nishliu e ka ngritur zërin jo vetëm teksa këndonte, por edhe kur ka avokuar për çështje të ndryshme sociale siç është barazia gjinore apo të lufta kundër dhunës në baza gjinore.

Duke përdorur muzikën si mjet kundër stereotipeve gjinore
“Më vjen mirë që në mesin e 7-8 këngëve që i kam realizuar deri më sot 2 prej tyre adresojnë këtë ceshtjë. Kënga e parë ‘A ka arsye’ ka qenë bashkëpunim me Bim Bimën që është një këngë pjesë e fushatës sensisbilizuese për dhunën gjinore, pra dhunën në çifte, këtë këngë e kam bërë në vitin 2006”, kujton Nishliu, këngëtare 27 vjeçare nga Prishtina, rreth angazhimit të saj në sferën publike me këngët e saja. Kënga e dytë të cilën Nishliu ia ka kushtuar dhunës gjinore është “Se vetëm zemra flet saktë“ të cilën e ka interpretuar në vitin 2012, dhe e cila këngë është zgjedhur nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), që të prek sa më shumë njerëz të jetë e mundur, përmes kulturës pop, duke qenë e pranishme në televizione, radio dhe portale online të lajmeve.
“Personalisht mendoj që në një formë më të përgjthshme ndoshta pa adresuar konkretisht problemet dhe të gjitha specifikat e këtyre problemeve, muzika dhe arti arrijnë që përmes formës së vet të japin mesazhin e duhur vetëdijësues”, shton Nishliu duke sqaruar se dhuna me bazë gjinore duhet t’i raportohet autoriteteve që ato të mund të vazhdojnë të merren me këto raste.
“Besoj që në vendet më të thella rurale, në vendet më të largëta është çështje e cila nuk diskutohet, në vendet më të izoluara diskutimi mbetët gjithmonë e më i mbyllur dhe besoj femra është më pak e prirur me e diskutu dhe me e shfaqë si problematikë edhe me anëtarët e familjes. Përshembull në Prishtinë apo në qendrat e tjera të paktën diskutohet në qarkun familja”, thotë Nishliu teksa shton që diskutimi mbi dhunën gjinore nuk duhet të mbesë vetëm brenda familjes. Ajo shpjegon se Kosova ka shumë talente dhe potencial të muzikës që mund të përdoret për të trajtuar çështje të rëndësishme të shoqërisë. “Mendoj që kjo mund të realizohet në kulturën e hip hopit në mënyrë që vetëdijësimi me arritë me përfshi sa më shumë dëgjues, njerëz me zgju sa më shumë diskutim”, thotë Nishliu.
 
Dhuna gjinore duhet raportuar
“Duke iu referuar shembullit të bashkëpunimit tim që kam pasur me Bim Bimën mendoj që edhe mashkujt kanë një rol dhe japin një kontribut të konsiderueshëm në këtë problematikë, për këtë dukuri”, thotë ajo duke menduar për dhunën në baza gjinore.
“Unë mendoj se kjo problematikë ekziston në çdo shoqëri të mundshme dhe padyshim që mund të dallojnë arsyet se përse ndodhë, veçse mosdiskutimi dhe mosraportimi ndoshta janë një problematikë shtesë që e karakterizojnë shoqërinë tonë dhe besoj se palët që janë të dëmtuara, jo gjithmonë është femra ajo tek e cila është ushtruar dhunë, ka raste të ndryshme, mendoj se duhet të ekzistojnë institucionet që merren me palën e dëmtuar”, thotë Nishliu duke theksuar se viktimat duhet të kenë një shtëpi të sigurt ku ato mund të qëndrojnë dhe të mbështeten me shërbime psiko-sociale, mjekësore dhe financiare. Një çështje tjetër me rëndësi, shton Nishliu, është prania e dhunës psikologjike e cila nuk mund të zhduket terësisht. Ka raste prej ma të ndryshmëve, raste të keqtrajtimit, i kemi edhe në gazeta, mundena më i pasë edhe në ndertëse, në apartamentin afër nesh dëgjojmë britma, etj”, thotë Nishliu duke shtuar se çdo person në Kosovë duhet të ndjehet i barabartë me të gjithë në shoqërisë pavarësisht gjinisë së tij/saj.

Mesazhi i Rona Nishliut për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
Jeni të vetëdijshëm për rastet e dhunës në çifte, ato të natyrës gjinore dhe mendoj që duhet bashkarisht të luftojmë që ato të jenë në zbehje e sipër. Padiskutim që secila shoqëri mund të ketë probleme të natyrave të ndryshme megjithatë unë mendoj se duhet të diskutohet sa më shumë për këto raste në mënyrë që rastet e natyrës së njëjtë të mos përsëriten, dhe të mos jenë dukuri të cilat janë të shpeshta në shoqërinë tonë. Më vjen shumë mirë që mua më është dhënë rasti që përmes një kënge të jap kontributin tim si artiste për vetëdijësimin e të rinjve dhe ajo që kam dashur të përcjelli, që dua të përcjelli edhe sot përmes këtij mesazhi është që vetëpërmbajtja është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme në momente kur, në momente hidhërimi, në momente pezmi, në momente moskënaqësie, sepse shprehja e revoltës, mendoj unë, nuk duhet të jetë pjesë e komunikimit tonë. Prandaj dëgjojeni zemrën tuaj ashtu siç them edhe përmes titullit të këngës “Se vetëm zemra flet saktë” dhe rreshtave të saj dhe mundohuni që në paqe të zgjidhni problemet që keni.

 
 

 

Komentet

    Komento