Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Dita 5

Kampanja

Dita 5 - Nëntor, 29 2013
Një aktiviste e pasionuar për të drejtat e komunitetit LGBT
 
Rajmonda Sylbije nuk është ajo vajzë e zakonshme e lagjes, ajo është një mike, një shkëmb ku njerëzit mund të mbështeten gjatë momenteve të vështira të tilla siç është rasti i “shpalosjes” së orientimit të tij/saj seksual. “Respektoni ligjin”, thotë shkurtazi Sylbije duke theksuar se të drejtat e lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transeksualëve (LGBT) janë thelbi i të drejtave universale të njeriut.

Aktivizmi është energjia e cila kalon nëpër venat e Sylbijes, një aktivisteje 26 vjeçare nga Prizreni, të cilës i pëlqen të angazhohet dhe të luftoj për të drejtat e grupeve të margjinalizuara. Derisa jetonte në Prizren Sylbije ka promovuar të drejtat e grupeve të lënë anash siç janë romët dhe fëmijët me nevoja të veçanta. Transferimi i saj në Prishtinë nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj angazhimit në fushën e aktivizmit. Pasiqë kaloi të jetoj në kryeqytetin e Kosovës, Sylbije vendosi që të vazhdojë aktivizmin e saj tashmë duke u angazhuar për të drejtat e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe personave transgjinorë në Kosovë, me qëllim të kuptuarit dhe të komunikuarit mbi orientimin e tyre seksual. “Kështu fillimisht më ka lindur ajo ndjenja e aktivizmit të përgjithshëm për të drejtat e njeriut, që çdo person të jetë i pranuar ashtu siç është pa kushte”, kujton Sylbije.

Pasion i dedikuar për të drejtat e njerëzve LGBT
“Pasioni im kryesor ka qenë më i fortë që të merrem me promovimin e të drejtave të komunitetit LGBT në Kosovë”, thotë Sylbije teksa rri e u ulur në divanin komod me ngjyra të lehta, që ndodhet në zyrën e saj në qendër të Prishtinës. Sylbije është drejtore ekzekutive e Qendrës për barazi dhe liri në Kosovë (CEL Kosova) një OJQ e themeluar kohëve të fundit e që është e orientuar drejt promovimit dhe ngritjes së vetëdijes lidhur me të drejtat e popullatës LGBT në Kosovë.
“Ne jetojmë në një shoqëri ku jo vetëm komuniteti LGBT, por e gjithë shoqëria nuk është në një pozicion të favorshëm”, thotë ajo duke shtuar se pozita e komunitetit LGBT ishte dhe ende vazhdon të jetë e stigmatizuar. “Të qënit çkado, lesbike, gej, biseksualë ose transgjinorë është e vështirë sepse jemi duke jetuar në një shoqëri shumë diskirminunese siç është Kosova”, shton Sylbije duke iu referuar sulmeve të dhunshme kundër popullatës LGBT të Kosovës, kur ata publikisht e shprehin orientimin e tyre seksual.

Presion shoqëror ndaj komunitetit LGBT në Kosovë
Ajo kujton reagimin e dhunshëm ndaj lansimit të një numri të revistës Kosovo 2.0 e cila ka trajtuar temën e seksit. “E gjithë kjo dhunë vetëm për shkëmbimin e letrave midis dy femrave Lepa Mladjenović aktiviste nga Serbia dhe Igballe Rogova nga Kosova, dhe ky ishte vetëm një shkëmbim i letrave lidhur me atë se si është që të jesh lesbike në Kosovë dhe në Serbi”.
Sipas saj shumë prej anëtarëve të komunitetit LGBT e fshehin orientimin e tyre seksual nga miqtë dhe familja për shkak të faktit që njerëzit në mjedisin e tyre nuk janë të informuar rreth personave LGBT.
“E gjithë kjo vjen nga mungesa e informacionit që kanë njerëzit për të drejtat e komunitetit LGBT”, thotë drejtoresha ekzekutive e CEL Kosova. Sylbije përmes CEL Kosova në mënyrë aktive përpiqet që ti ndihmoj njerëzit LGBT që ata të kapërcejnë frikën duke iu ofruar atyre aktivitete të ndryshme ku përfshihen diskutime, grupe të fokusit dhe kohët e fundit edhe kurse të gjuhës angleze. “Fokusi i organizatës sonë është që të ofrojë një strehë të sigurt për komunitetin LGBT në mënyrë që ata të mund të kenë një vend ku mund të bisedojnë lirshëm duke trajtuar tema të ndryshme sociale nëpërmjet diskutimit”, shpjegon Sylbije derisa rri në një dhomë të mbushur me foto grupore të varuara nëpër mure ku shihen njerëz nga komuniteti LGBT, në ambientet e qendrës së drejtuar nga ajo. Ideja e themelimit të CEL Kosova është që të krijojë një hapësirë të veçantë që do ti ndihmonte njerëzit LGBT të integrohen. CEL organizon diskutime mbi tema të tilla si për shembull martesat heteroseksuale të njerëzve homoseksualë të cilat ndodhin për shkak të presionit të familjes. Rreth 90 anëtarë nga komuniteti LGBT janë pjesëmarrës të rregullt në aktivitetet e qendrës. “Në këto diskutime mund të ndjeni presionin shoqëror me të cilin komuniteti LGBT përballet gjatë jetës së përditshme”, thotë kjo vajzë 26 vjeçare sypatrembur nga Prizreni. “Është e vështirë të jesh person LGBT në Kosovë dhe unë e di këtë përmes përvojës së njerëzve që e vizitojnë qendrën tonë”, thotë Sylbije.

 
Dhuna gjinore në të gjitha komunitetet
Komuniteti LGBT në Kosovë nuk përbën përjashtim kur bëhet fjalë për dhunën në baza gjinore, Sylbije shpjegon se “dhuna e shprehur ndaj orientimit seksual të komunitetit LGBT nuk raportohet gjithmonë në polici për shkak se ata nuk janë të fuqizuar që ta bëjnë këtë, edhe pse Ligji kundër diskriminimit është në anën e tyre”. Njerëzit e komunitetit LGBT sipas Sylbijes vazhdimisht janë nën presion nga familjet e tyre që kenë martesa heteroseksuale. “Ka presion të madh ndaj tyre që të duken si dikush tjetër”, tregon ajo. Shpalosja e orientimit seksual mund t’jua rrezikoj punën e tyre dhe ata shpesh janë të kërcënuar se do të dëbohen prej shtëpive familjare të tyre jo vetëm fizikisht por edhe emocionalisht. Sylbije shpjegon se shumica e anëtarëve të komunitetit LGBT – të cilët janë pjesë e CEL Kosova nuk mund të shpalosin orientimin e tyre seksual para familjeve të tyre, pasi që shumica e tyre janë të varur financiarisht nga prindërit dhe gjithmonë ekziston rreziku që të dëbohen nga shtëpitë. CEL Kosova u ofron atyre mundësinë dhe hapësirën për të ndërvepruar normalisht me njerëz që i kuptojnë pa patur nevojë që të prezantohen si persona të tjerë.

Mesazhi i Rajmonda Sylbijes për rininë lidhur me perceptimin e komunitetit LGBT në Kosovë
Të drejtat e komunitetit LGBT janë të drejtat universale të njeriut – respektojini ato dhe ndryshoni stereotipet tuaja ndaj lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe personave transgjinor nga Kosova. Rininë e Kosovës e kisha inkuraju që sa më shumë të lexojnë sa i përket komunitetit LGBT. Jo vetëm në përgjithësi për komunitetin LGBT mirëpo të lëxojnë edhe më shumë për sfidat me të cilat ballafaqohet komuniteti LGBT në Kosovë. Jeni më të informuar lidhur me komunitetin LGBT përmes faqes sonë në Facebook dhe natyrisht duke kontaktuar organizatat ekzistuese të cilat punojnë për promovimin e komunitetit LGBT në Kosovë. Ligji në Kosovë në mënyrë të qartë përcakton se shkelja e të drejtave të LGBT-ve është shkelje e Kushtetutës së Kosovës dhe e Ligjit kundër diskriminimit. Shqetësimi njerëzve për shkak të orientimit të tyre seksual në Kosovë është shkelje e të drejtave të njeriut. Çdo qytetar i Kosovës duhet të respektoj ligjin dhe të ndal dhunën jo vetëm ndaj komunitetit LGBT por ndaj të gjitha komuniteteve në Kosovë”. Gjëja e fundit të cilën dua t’ja them rinisë së Kosovës është që të ndalin dhunën fizike dhe atë psiqike ndaj komunitetit LGBT në Kosovë. Personat LGBT janë njerëz, të qënit gej, lesbike, biseksual apo transgjinor nuk është sëmundje.

 


 
 

Komentet

    Komento