Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Dita 4

Kampanja

Dita 4 - Nëntor, 28 2013
Dhuna në baza gjinore në mesin e çifteve adoleshente në Kosovë
 
Edhepse çiftet e reja kanë shumë më tepër mundësi, sesa çiftet e brezit të vjetër, të raportojnë dhunën gjinore, ata nuk e raportojnë gjithmonë atë. Sipas raportit “Prania e dhunës në marrëdhëniet e adoleshentëve” të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), të rinjt, sidomos meshkujt, nuk e kuptojnë se cilat veprime konsideruar dhunë.

Dhuna në baza gjinore nuk është diçka e pazakontë në mesin e çifteve adoleshente kosovare që janë në marrëdhënie romantike. Xhelozia është e pranishme në dy të tretat e çifteve të rinj (66 për qind), ndërsa një në dhjetë vajza (11 përqind), që është pjesë e një marrëdhënie të tillë, pranon se është goditur apo shuplakuar nga partneri mashkull.
Këto statistika dhe informata të tjera të vlefshme lidhur me dhunën gjinore në mesin e çifteve adoleshente kosovare janë paraqitur në raportin “Prania e dhunës në marrëdhëniet e adoleshentëve“ të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSG). Sipas këtij raporti rinia, veçanërisht djemtë e rinj, nuk e kuptojnë se cilat veprime konsiderohen si dhunë.
Nga raporti mund të arrihet në përfundimin se vajzat e reja e kuptojnë më mirë ato veprime që kuptohen si dhunë. “Kur lexohet raporti shihet se të rinjtë nuk kanë informacion për vetë konceptin dhunë, ata nuk e kanë të qartë deri në fund se çka është dhunë dhe në cilat forma ajo shprehet, kryesisht dhunë konsiderojnë rrahjen”, thotë Luljeta Vuniqi, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e QKSGj-së. Sipas raportit pothuajse një e treta e të anketuarve (27 për qind) mendojnë se shuplakimi nuk është akt i dhunës, dhe ky perceptim është i përqafuar më shumë nga ana e djemve të rinj sesa nga vajzat e reja, gjë që tregon se ka kuptim të paktë lidhur me atë se çka nënkuptohet me dhunë fizike. “Dhuna në baza gjinore sidomos tek të rinjtë është mjaft shkatërruese ndaj atyre sepse ata janë ende duke u zhvillu, është duke u kriju personaliteti i tyre, sepse janë duke krijuar percepione për botën”, thotë Vuniqi NGO-ja e së cilës ka përdorur aktivitete artistike për ti bërë të rinjt që të mendojnë më shumë lidhur me barazinë gjinore.

Vajzat viktimat e zakonshme
Sipas Vuniqit vajzat e reja, që janë pjesë e marrëdhënieve dashurore mes adoleshentëve në Kosovë, nuk janë të vetëdijshme për dhunën psikologjike, ngase ato dhunën e kuptojnë vetëm si dhunë fizike në shkolla, rrugë dhe në shtëpi. “Ato e konsiderojnë dhunën fizike si ma prevalente dhe një numër i tyre thotë që ka dhunë dhë që kanë përjetu dhunë në relacionet e tyre”, thotë Vuniqi duke theksuar se të rinjtë ende hezitojnë ti raportojnë aktet e dhunshme edhepse në ditët e sotme ka më shumë mundësi për të raportuar dhunën gjinore.
Një vajzë e re që ishte pjesë e grupit të fokusit të organizuar nga QKSGj deklaroi se “meshkujt janë ata që nryejnë dhunë më shumë, dhe se në shumicën e rasteve femrat janë viktimat”. Vuniqi konsideron se dhuna në baza gjinore është ende legjitimuar në masë të madhe si një mjet për kontrollin e grave dhe vajzave të reja. “Çdo dalje nga korniza ose nga roli si i vajza dhe i grave nga roli gjinor që përcaktohet nga shoqëria e jonë patriarkale ndëshkohet”, shton Vuniqi duke theksuar se ka poashtu ka presion shoqëror ndaj grave dhe vajzave që shpesh i ndërrojnë partnerët dhe konsiderohen si të pamoralshme . “Raportimi i dhunës nuk ndodhë për shkak të frikës së hakmarrjes dhe pasojave të tjera”, thotë ajo.
 
Pikëpamjet tradicionale të të rinjve në Kosovë
Edhe pse në ditët e sotme ka shumë më tepër mjete për të denoncuar dhunën në baza gjinore, nuk ka shumë dallime mes brezit të ri dhe atij të vjetër të kosovarëve lidhur me dhunën gjinore, pohon Vuniqi. “Ndoshta kanë informata më shumë dhe dijnë ti drejtohen policisë, mund të raportojnë gjë që përpara ska qenë mundur sepse përpara dhuna gjinore, familjare, dhuna ndaj gruas është konsideruar si çështje private dhe nuk ka qenë në legjislacion”, shton Vuniqi teksa analizon raportin “Prania e dhunës në marrëdhëniet e adoleshentëve”.
Raporti, shton Vuniqi, e ka informuar QKSGj-ën jo vetëm lidhur me hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren, por edhe se si të jenë më efektiv në trajtimin e kësaj çështjeje. “Të dhënat e këtij hulumtimi janë të dhëna të rëndësishme për institucionet, hulumtuesit, shoqërinë civile dhe politik-bërësit dhe bartësit e institucioneve”, pohon ajo.
Për më tepër është me rëndësi të theksohet se shumica e pjesëmarrësve në këtë studim besojnë se dhuna sot është e pranishme në marrëdhënie romantike e të rinjve dhe ky është një shqetësim serioz. Në përgjithësi më shumë vajza të reja (84.2 përqind) sesa djem të rinj (68.3 për qind) e kanë ngritur temën në fjalë si një çështje alarmante në marrëdhëniet e sotme. Në kontekstin e përkatësisë etnike të pjesëmarrësve të këtij studimi, mbi 81.5 përqind e minoriteteve poashtu janë dakord me deklaratën e mësipërme. Një tjetër çështje po aq alarmante është numri i të rinjve të anketuar (19.2 përqind e djemeve të rinj krahasuar me 9.8 për qind të vajzave të reja ) të cilët besojnë se pavarësisht faktit se rastet e sjelljeve të dhunshme ekzistojnë brenda marrëdhënies romantike, ato nuk duhet të bëhen publike dhe/ose të bëhen problem.

Mesazhi i Luljeta Vuniqit për rininë lidhur me perceptimin e dhunës gjinore në Kosovë
Mesazhi im për vajzat edhe djemt e ri sidomos ata të moshës adoleshente, kisha me i këshillu që të raportojnë dhunën në qoftë se ata janë viktima të dhunës ose të raportojnë dhunën edhe për shokun, shoqen, të cilët janë në marrëdhënie të dhunshme ose përjetojnë dhunë e ju e dini. Gjithashtu kisha me ju thanë që përdorimi i dhunës, i cilës do formë të saj, në marrëdhëniet e tyre, në mes të rinjve, sidomos të atyre adoleshent, nuk është zgjidhje e problemit, është vetëm një problem më shumë, rritje e problemit. Gjithashtu konsideroj edhe mendoj se të rinjt dhe të rejat duhet të jenë me vullnet të tyre të lirë në marrëdhëniet e tyre dhe të zhvillojnë marrëdhënie të cilat janë të lira nga dhuna. Domethënë kurrsesi të mos pranojnë që të jenë në një marrëdhënie romantike, në cilëndo marrëdhënie që e kanë të jetë e lirë nga dhuna të mos pranojnë marrëdhënie të dhunshme.


 
 

Komentet

    Komento