Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Dita 16

Kampanja

Dita 16 - Dhjetor, 10 2013
Kryetarja e parë komune në Kosovë
 
Pas katër vjet të kaluara në politikë, nga të cilat 2 vjet e gjysmë në postin e Zëvendës Kryeministres dhe Ministres së Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila ka arritur një nivel të paprecedent për çdo grua tjetër në historinë e re politike të Kosovës. Kusari-Lila gjatë balotazhit të zgjedhjeve lokale 2013 është zgjedhur si kryetarja e parë femër në histori të Gjakovës dhe të Kosovës. Ajo i theu të gjitha stereotipet ekzistuese gjinore për gratë në politikën e Kosovës. Kusari-Lila thotë se dhuna në baza gjinore mund të luftohet nëpërmjet edukimit më cilësor të brezave të rinj.

Mimoza Kusari-Lila hyri në jetën publike të Kosovës gjatë vitit 2002 si zëdhënësja e parë e qeverisë së parë të Kosovës pas vitit 1999. Pak më shumë se një dekadë më vonë, pas 4 vjetësh në politikë ajo i ka thyer të gjitha tabutë gjinore në Kosovë me zgjedhjen e saj si kryetare e parë grua në Gjakovë dhe në tërë Kosovën. Fitorja e saj zgjedhore erdhi në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ku ajo mundi kundërshtarin e saj me një diferencë prej 2293 votash.
“Natyrisht tashmë ndihem më e relaksuar se kam kaluar një process jo shumë të lehtë me disa sfida të ndryshme dhe tash është ndjejnja e një të arriture, të një suksesi dhe përgjegjësisë së përformancës”, thotë Kusari-Lila që shpreson se zgjedhja e saj si kryetare e komunës së Gjakovës do të frymëzojë gra të tjera që të konkurrojnë për pozitën e kryetarit të komunës në qytete të tjera në Kosovë. Kusar-Lila vlerëson se zgjedhja e saj është parë si sukses për një grua vetëm për shkak se në të kaluarën nuk ka pasur gra kryetare komune në Kosovë.
Kjo arsye nga Kusari-Lila është parë si një pengesë artificiale që i përket së kaluarës dhe se tani në shoqërinë e Kosovës më nuk ka tema të tilla tabu. “Zgjedhjet komunale janë përgjithësisht hap i mirë për ato femra që kanë përvojë në ndërmarrësi sepse qeverisja e komunës është si menaxhim që përkthehet në aksione konkrete”, shpjegon Kusari-Lila duke shpresuar se më shumë gra do të hyjnë në jetën publike të Kosovës përmes zgjedhjeve lokale. Para se të zgjedhet kryetareekomunës së Gjakovës, Kusari-Lila ka qenë për dy vite e gjysmë Zëvendës Kryeministre e Kosovës dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë. “Gjithmonë kam refuzuar të jem diku vetëm për shkak të prezencës apo për shkak të gjinisë”, shton ajo.

Presioni shoqëror
Kusari-Lila, një grua 38 vjeçare, thotë se nuk e lejon askënd që të bëjë presion ndaj saj dhe pohon se ajo e konsideron veten kokëforte, një cilësi që e ka sjellë atë në postin e saj aktual - kryetare e zgjedhur e komunës së Gjakovës. “I kam dëgjuar tjerët por kurrë nuk i kam lanë me më ndiku. Ndoshta edhe kjo kokëfortësia imja i ka bërë të tjerët të jenë më të dobët ndaj përpjekjeve për me ma ndërru mendjen se e kanë parë që nuk ka sukses”, thotë ajo duke shtuar se mund të kishte zgjedhur gjithmonë një punë të përshtatshme që është më pak e dukshme dhe që nuk i kërcënon interesat e dikujt por në vend të kësaj ajo ka zgjedhur një rrugë plot sfida. “Në takim të parë në punë, kontakti i parë, mund të ketë ndikimin roli femër mashkull por më tutje janë atributet e secilit person që e karakterizojnë raportin me tjerët”, thekson Kusari-Lila.

Sfidat me të cilat ballafaqohen gratë në politikë
Çdo grua përballet me sfida kur hyn në politikë, pranon Kusari-Lila teksa shton se gratë duhet të jenë të gatshme të përballen me çështje të ndjeshme gjinore që vijnë në formë provokimesh nga meshkujt. Gratë sipas saj nuk janë një shtresë e cila domosdoshmërisht duhet të jetë e kategorisë së dytë dhe jo prijëse e kategorisë së parë.
“Në përgjithësi (gratë) mësohen me shumë obligime dhe detyra dhe kjo në politikë të bën të jesh më e përgatutur se kolegët meshkuj, sepse prej fëmijërisë mësohesh të përkujdesësh për disa gjëra në të njëjtën kohë dhe kjo të jep përparësi jo vetëm në politkë po në secilin rol tjetër edhe në biznes edhe në fusha tjera”, thotë Kusari-Lila. Si sfidë tjetër për gratë në politikë ajo e përmend pritjen e shoqërisë që s’ka nevojë që të pritet shumë nga gratë në politikë. “Dmth që nëse e ka (gruaja) një pozitë të mësohet me atë pozitë dhe të kënaqet me aq sa mund ti oforhet (asaj)”, shton Kusari-Lila. Kuotat për pjesëmarrjen e grave në jetën publike nga ajo konsiderohen si disavantazh sepse, sipas saj, sot ndodhemi në një shoqëri ku nuk shikohet që gruaja duhet domsodo të jetë e pranishme, por thuhet kuota është aty shkaku se të tjerët thonë se duhet patur granë politikë.
 
Shkaktarët e dhunës në baza gjinore
Familjet që kanë probleme ekonomike kanë tendencë të jenë të kërcënuara dhe të prekura nga dhuna në baza gjinore ndaj vajzave, bashkëshorteve, të dashurave dhe nënave, thotë Kusari-Lila. Ajo vlerëson se meshkujt të cilët nuk mund ti mbajnë familjet e veta bëhen më të dhunshëm dhe kjo dhunë sipas saj është shprehur kundër anëtarëve më të dobët të familjes.
“Kjo ndodhë edhe tek djemtë e rinj të cilë kur e shohin modelin e babës ndaj motrës ose nënës e përdorin edhe ata tutje”, thotë Kusari-Lila duke shtuar se dhuna në baza gjinore është shkaktuar edhe nga degradimi i cilësisë së arsimit në Kosovë. Mungesa e një qasje holistike në sistemin arsimor të Kosovës ndikon jo vetëm në cilësinë e mësimit por gjithashtu e degradon sjelljen e përgjithshme shoqërore duke përfshirë edhe dhunën në baza gjinore ndaj grave, shton Kusari-Lila.
“Stereotipet gjinore munden me u eleminu me edukim dhe me trajtim të mirëfilltë në institucione korrektuese”, shpjegon Kusari-Lila.Ajo konsideron se shoqëria e Kosovës duhet të punojë më shumë me fëmijët lidhur me çështjen e dhunës në baza gjinore dhe se duhet të krijohen programe të veçanta sociale për ti ndjekur ata individë që kryejnë dhunë në baza gjinore ndaj grave. “Me punë shtesë e cila drejtëpërdrejtë i identifikon ata si persona të dhunshëm specifik ndaj femrës, dhunës gjinore”, thotë ajo duke shtuar se secili që e rreh gruan e tij, të fejuaren, të dashurën, një vajzë nga shkolla, nuk duhet vetëm të mbahet në stacionin e policisë, në një masë paraburgimi dhe të lirohet. Për më tepër “femra (duhet) më tepër të pranoj rolin e barabarësisë sesa të pranoj rolin e vartëses së dikujt”, shton Kusari-Lila.
Kusari-Lila i ka përfunduar studimet e ekonomisë në Kosovë kurse në ShBA në Ducane University në Pittsburgh i ka përfunduar studimet master për administrim biznesi. Ajo i ka hyrë jetës politike në vitin 2009, kur si kandidate e Alenacës Kosova e Re (AKR) iu bashkangjit për herë të parë garës për postin e kryetarit të komunës së Gjakovës. Pas kandidaturës së parë të pasuksesshme për postin e të parit të Gjakovës partia e saj hyri në Qeverinë e Kosovës ku ajo u emërua Zëvendës Kryeministre dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë. Para kësaj ajo ishte drejtoreshë ekzekutive e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, zëdhënësee parë e qeverisë së parë të Kosovës pas vitit 1999, dhe menaxhere e projektit në fondacionin që e themeloi Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK).

Mesazhi i Mimoza Kusari-Lilës për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
Të dashur të rinj, dhuna asnjëherë nuk ka qenë zgjidhje e problemit. Dhuna nuk ju bën të dukeni më të fortë, në të kundërtën shpreh dobësinë e dikujt që përmes dialogut nuk mund të zgjidh problemin. Zgjedheni dialogun dhe respektin e ndërsjellët për të gjetur zgjidhje për të gjitha problemet që e rëndojnë rininë tonë. Vetëm të barabartë si gjini dhe si shoqëri mund të ecim përpara. Të respektojmë njëri tjetrin.




 
 

Komentet

    Komento