Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Dita 15

Kampanja

Dita 15 - Dhjetor, 09 2013
Dhuna në baza gjinore është çnjerëzore
 
Bashkësitë fetare në Kosovë pajtohen se gratë janë të barabartë me burrat. Përfaqësues të Kishës Katolike në Kosovë (IK) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) thonë se dhuna në baza gjinore ndaj grave nuk është e pranueshme në asnjërin prej mësimeve të profetëve të tyre.

Drejtuesit e Kishës Katolike në Kosovë dhe të Bashkësisë Islame në Kosovë pajtohen se Zoti i ka krijuar gratë dhe burrat si të barabartë, dhe duke folur nga kjo pikëpamje, ata janë të bindur se të gjitha llojet e dhunës, sidomos dhuna në baza gjinore, në kuadër të shoqërisë së Kosovës duhet të luftohet dhe të ndalohet përmes institucioneve të caktuara shtetërore. Feja sipas tyre mund të ofroj mbështetje morale dhe udhëheqje shpirtërore, ndërsa institucionet e shtetit me të gjitha mjetet e mundshme duhet të luftojnë dhunën në baza gjinore ndaj grave, përmes arsimimit dhe fushatave të ndërgjegjësimit. Si Bashkësia Islame e Kosovës ashtu edhe Kisha Katolike në Kosovë, pajtohen se dhuna në baza gjinore, përmes punës së institucioneve është duke pësuar ulje si një fenomen në shoqërinë kosovare, megjithatë ata thonë se ende shumë duhet të bëhet për të ndryshuar mentalitetin që toleron dhunën në baza gjinore ndaj grave.

Feja e dënon dhunën në baza gjinore
“Fenomeni i dhunës në familje është një gjë e pa tolerueshme e që duhet përpjekur vazhdimisht ta çrrënjosim nga shoqëria jonë e që BIK-u e ka parasysh gjithnjë”, thotë Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava duke shpjeguar qasjen që e ka Islami lidhur me temën e dhunës në baza gjinore.
“Shoqëria në përgjithësi duhet të mos jetë tolerante me këto raste dhe t’i lajmëroj ato në organet kompetente të shtetit”, tregon Myftiu i Kosovës duke shtuar se në Islam, gruaja është e vlefshme dhe e pazëvendësueshme për rolin e saj në shoqëri. Dhuna në baza gjinore në shoqërinë kosovare sipas Myftiut Tërnava ndodh për shkak të arsyeve të ndryshme sociale, ekonomike dhe arsimore. Myftiu Tërnava thekson se një ndër çështjet më të rëndësishme që duhet të zgjidhen në Kosovë është që të ndalet trafikimin njerëzor i grave, që sipas tij, është një mjet i abuzimit me gra. “Duke e pasur parasysh ish-strukturën patriarkale në familjen e shoqërisë sonë si dhe tani ndryshimet e shpejta në familje kemi si pasojë dhunë familjare nga të dy gjinitë”, thotë Myftiu Tërnava dhe shton se “ne të gjithë duhet t’i refuzojmë dhe ta luftojmë dhunën gjinore në mënyrë që rastet e tilla të mbesin fare të pakta dhe të jenë më të lehta për t’u zgjidhur”.
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) e konsideron shumë të vlefshëm kontributin që vjen nga vetë shoqëria e cila rrezikohet me cenimin e familjes. Gruaja dhe burri në Islam përbëjnë një aleancë e cila është shumë e vlefshme dhe me rëndësi jetike dhe kjo lidhje duhet ruajtur fortë. Problemi sipas Myftiu të Kosovës është se “nëse nuk reagojmë të gjithë me kohë kjo tërësi shoqërore do të shthuret e shpërbëhet e që pastaj do të jetë çdo herë më vështirë për ta sanuar”.
“Nga këndvështrimi Islam familja është rrethi më primar dhe më i dashur për një njeri për të cilin duhet pasur kujdes të jashtëzakonshëm”, thotë Myftiu Tërnava duke dërguar mesazhin se lufta kundër dhunës në baza gjinore është një betejë që duhet të luftohet nga institucionet shtetërore.

 
Gratë dhe burrat janë të barabartë para Zotit
“Dhuna në përgjithësi është diçka që shpërfytyron vet të qenit njeri. Po e njëjta gjë vlen edhe për dhunën gjinore. Është pa dyshim një dukuri a fenomen shumë brengosësh për shoqërinë tonë”, thotë Dom Jeton Thaqi, vice-kancelar pranë zyrës ipeshkvore në Prishtinë. Dom Thaqi dhunën gjinore e sheh si një dukuri negative që duhet të luftohet nga e gjithë shoqëria përmes institucioneve ekzistuese.
“Porosia ime do të ishte se Zoti neve na ka krijuar të barabartë. Prandaj, edhe ne si të tillë, duhet të kuptojmë, pranojmë vetveten dhe të tjerët pavarësisht prej gjinisë, racës, kombit apo përkatësisë fetare”, thotë Dom Thaqi i cili konsideron se gjithë kanë të njëjtin dinjitet që askush nuk guxon ta cenojë shkaku i gjinisë së saj/tij.
Lufta kundër dhunës në baza gjinore duhet të eliminohet përmes kontributit të institucioneve që merren me zhvillimin njerëzor, dhe sidomos të atyre që punojnë me gjeneratat më të reja.
“Nuk kemi asnjë dyshim që gruaja e burri janë krejtësisht të barabartë edhe pse roli i tyre në shoqëri dhe në mjedise të tjera të jetës ndryshon”, thotë ai duke e konsideruar dhunën në baza gjinore si diçka që nuk i përket natyrës njerëzore, pasi sipas tij njeriu është i thirrur të jetojë në dashuri ndaj Zotit dhe ndaj njëri tjetrit.
Dom Tahqi thotë se kundër dhunës në baza gjinore duhet patjetër një koordinim i përgjithshëm i të gjitha institucioneve: familjet, shkollat, kishat, xhamitë por në veçanti mediat që sot për sot kanë një rol dhe ndikim të rëndësishëm në shoqëri.
“Kemi të bëjmë më dhunën psikike, por edhe me atë fizike, që të dyja janë të padrejta dhe shkelin padrejtësisht dinjitetin e personit njerëzor”, thotë Dom Thaqi duke shtuar se burimet e dhunës në baza gjinore janë mentaliteti, arsimimi i ulët dhe mungesa e vetëdijes për vlerat e mirëfillta njerëzore.
Sipas tij është bërë shumë për përmirësimin e situatës në mënyrë që njerëzit të jenë më të vetëdijshëm për dhunën në baza gjinore. “Kemi një numër të madhe të vajzave që studiojnë dhe përgatiten në mënyrë profesionale”, thotë ai duke shtuar se është bërë shumë punë në zonat urbane, por ende më shumë përpjekje duhet të ndërmerren për të trajtuar këtë çështje në pjesët rurale të Kosovës, në mënyrë që dhuna në baza gjinore të tolerohet më pak në mesin e të rinjve në këto pjesë të vendit.

Mesazhi i Myftiut të Kosovës Naim Tërnavës për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
Muhamedi alejhi selam thotë në porositë e tij të pastërta se më i miri prej jush në familjen e tij është ai i cili sillet më së miri me familje, derisa më i dobëti në familje është ai i cili sillet keq me gruan e tij. Dhe kur analizojmë këtë thënie të Muhamedit alejhi selam mund të konkludojmë se gjysma e kësaj bote është e banuar me femra derisa edhe gjysmën tjetër apo pjesën tjetër e kanë lindur femrat. Dhe kjo thënia e Muhamedit alejhi selam dhe ky konkludim i shton edhe më vlerën reale që i ka falë Zoti femrës apo gruas që konsiderohet edhe shtyllë e çdo familjeje anë e kënd botës.



Mesazhi i Dom Jeton Thaqit për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë

Njeriu është i krijuar prej dashurisë dhe është i krijuar me qëllim që gjithashtu për dashuri. Prandaj dhuna gjinore shkon kundër vetë natyrës së njeriut. Edhe e humb me një mënyrë qëllimin e jetës së njeriut dhe e humb edhe thirrjen e vet në realizimin e vetës. Prandaj unë ju kisha bërë ftesë të gjithë të rinjve që vërtetë ta konsiderojnë tjetrin të barabartë dhe të mundohen vetëm nëpërmjet respektit dhe dashurisë me ndërtu të ardhmen e shoqërisë tonë.


 

 

 

Komentet

    Komento