Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Dita 14

Kampanja

Dita 14 - Dhjetor, 08 2013
Parandalimi i dhunës në baza gjinore përmes arsimit
 
Sipas Gjylshahe Fetahu dhuna në baza gjinore në mesin e komuniteteve të romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve mund të zgjidhet përmes arsimit të qëndrueshëm të të rinjve, sidomos të vajzave që nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me djemtë. Vajzat e reja nga këto komunitete e braktisin shkollën dhe hyjnë në martesa të hershme.

Arsimimi i vazhdueshëm i të rinjve dhe të rejave është kyç në arritjen e rezultateve pozitive kundër dhunës me bazë gjinore që po ndodh në Kosovë. Situata është më specifike në mesin e komuniteteve të margjinalizuara siç janë romët, ashkalinjt dhe egjiptasit të cilët për shkak të varfërisë dhe situatës së keqe ekonomike janë më të prekshëm dhe kanë tendencë që ta braktisin shkollën. Më shumë arsimim për brezat e rinj mund jo vetëm të përmirësoj mirëqenien e tyre por edhe ti bëjë ata të jenë më pak tolerant ndaj dhunës në baza gjinore.
Gjylshahe Fetahu, një grua 40 vjeçare nga Mitrovica rrëfen luftën e saj për ti thyer stereotipet në baza gjinore, që komunitetet e lartëpërmendura kanë pasur lidhur me dërgimin e vajzave në shkollë. Fetahu është një nënë krenare e 4 fëmijëve që janë nxënës të rregullt në shkollat publike të Mitrovicës.
“Dhuna me bazë gjinore mund të eliminohet në të gjitha format e saj në përgjithësi nëse komunitetet, duke përfshirë këtu edhe prindërit, janë të arsimuar në shkollë”, thotë Fetahu e cila në moshën 40 vjeçare i është rikthyer bankave shkollore pas 23 vjet mungese. “Ka qenë distanca e largët mes shtëpisë ku banoja dhe shkollës arsyeja pse e kam lënë shkollën” kujton Fetahu dhe sqaron që shkolla më e afërt fshatit të saj ishte 17 kilometra larg.
“Rinia nuk është si përpara, tani rinia po arsimohet dhe gjatë arsimimit të tyre ata kanë me e eleminu dhunën në baza gjinore dhe përmes arsimimit kanë me i parandalu dukuritë negative në shoqërinë tonë ndaj vajzave, bashkëshorteve, motrave, shoqërisë, kjo dukuri do të ulet sadopak pa paragjykime ndaj racës, shoqërisë, etnisë”, thotë Fetahu e cila sapo e ka përfunduar vitin e parë të shkollës së mesme profesionale ekonomike - departamenti i bankave dhe financave. Sipas saj dhuna në baza gjinore mund të zgjidhet përmes arsimimit të qëndrueshëm të të rinjve, sidomos të vajzave që nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me djemtë.

Arsimimi i fëmijëve nga mosha e re
Fetahu është e përkushtuar për të afruar sa më shumë fëmijë të jetë e mundur në kopshtin që e menaxhon përmes OJQ-së “Gruaja ashkane për gratë ashkalike” (GAGA) e themeluar në vitin 2006. Nëpërmjet OJQ-së ajo përpiqet që të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e arsimit si mjet në luftën kundër dhunës dhe stereotipeve me bazë gjinore në mesin e komunitetit ashkali. “Braktisja e shkollës është tepër alarmante, unë kam mendu që fëmijët të arsimohen që në fëmijëri të hershme”, thotë Fetahu që ka bindur shumë prindër që ti sjellin fëmijët e tyre në kopsht i cili ofrohet falas për komunitetin. Fëmijët e braktisin shkollën për shkak se prindërit e tyre nuk janë të arsimuar, thotë Fetahu. Ndër arsyet e mos dërgimit të fëmijëve të tyre rregullisht në shkollë, sipas saj, nuk janë më çështja e diskriminimit, ose largësia nga shkolla, ose mungesa e transportit, por prindërit të cilët nuk mund ti ndihmojnë fëmijët me detyrat e shtëpisë.
“Duke e parë vetën të papërgatitur para mësimdhënësit fëmija thotë nuk do të shkoj sot në shkollë, nuk do të shkoj nesër dhe kështu lihet shkolla anash dhe ata në një farë mënyre e braktisin shkollën”, thotë Fetahu. Komunitetet romë, ashkali dhe egjiptas sipas saj nuk do të mbeten të margjinalizuar nëse vendosin për të vazhduar shkollimin.
Fetahu thotë se në “Kopshtin për fëmijë” që funksionon që nga maji i vitit 2012, janë dy grupe të fëmijëve ashkali të grup moshës 3-4 dhe 5-6. Në kopsht fëmijët përgatiten për shkollë si dhe aty organizohen edhe klubet e prindërve – rreth rëndësisë së arsimimit të fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptas. Aktualisht 28 fëmijë janë regjistruar në këtë kopsht.
 
Braktisja e shkollës
Fëmijët e këtyre komuniteteve e braktisin shkollën për arsye të ndryshme, ndërsa vajzat e reja e braktisin shkollimin në moshën 12-13 vjeçare për shkak të martesave të hershme, shpjegon Fetahu.
“Një vajzë kur rrin në shtëpi ajo nuk mendon më për arsimin ajo nuk mendon më për një vend të punës, e ka mendjen tek martesa, ajo nuk e di se çka e pret në martesë, një jetë tjetër, një obilgim më i madh”, pohon kjo aktiviste nga Mitrovica.
Fetahu kujton se problemet kryesore që ajo ka me komunitetin e saj janë prindërit që nuk i sjellin fëmijët e tyre në kopsht. “Arsyet ishin jo të mirëfillta, jo nuk do fëmija, dhe unë e kam marrë nje edukatore e cila punon edhe në cilësinë e psikologes, ajo mban takime të rregullta me fëmijë”, thekson ajo. “Ajo i motivon prindërit në mënyrë që fëmijët e tyre të kenë sukses”, pohon Fetahu.
Në një tryezë të rrumbullakët të organizuar në shtator në Mitrovicë nga Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut (MWAHR) në bashkëpunim me Kvinna till Kvinna, Fetahu përmendi se sfida të tjera të këtyre komuniteteve janë: mungesa e vetëdijes në mesin e prindërve për rëndësinë e arsimit, mungesa e vullnetit dhe interesimit të prindërve për të marrë pjesë në aktivitetet e rritjes së ndërgjegjësimit, dhe të shohin përfitimet nga dërgimi i fëmijëve të tyre në shkolla, martesat e hershme në mesin e komunitetit ashkali, varfëria në mesin e komunitetit, prania e shfrytëzimit të fëmijëve, duke qenë se për shkak të situatës sociale dhe ekonomike ka shumë fëmijë që braktisin shkollën, jo pak fëmijë janë të ekspozuar ndaj shfrytëzimit. Këto sfida, sipas Fetahu si dhe përhapja e dhunës në familje, mund të luftohen dhe parandalohen përmes arsimimit.

Mesazhi i Gjylshahe Fetahut për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
Mesazhi im është për prindërit që fëmijët e tyre ti edukojnë që në fëmijëri të hershme sepse edukimi i ndihmon fëmijët që mos të paragjykojnë dhe mos të ushtrojë dhunë në baza gjinore, etnike, racore, etj. Ashtu edhe për rininë e kam një mesazh që mos të ushtrojnë dhunë sepse dhuna nuk të shpie dikund në të mirë por të krijon probleme në jetë.


 

 

Komentet

    Komento