Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Dita 13

Kampanja

Dita 13 - Dhjetor, 07 2013
Rehabilitimi dhe riintegrimi për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore
 
Duke diskutuar mbi faktorët që i bëjnë njerëzit të pambrojtur ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, Keti Dedolli thekson se aty luan rol varfëria dhe situata e keqe ekonomike. Për 13 vjet Qendra për mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore (MVPT) ka rehabilituar rreth 600 viktima të trafikimit të qenieve njerëzore.

Diskriminimi gjinor në kombinim me varfërinë dhe mungesa e vendeve të përshtatshme të punës janë arsyet kryesore pse vajzat e reja dhe gratë bëhen pre e trafikimit të qenieve njerëzore në Kosovë. Puna e qendrës MVPT në të kaluarën është fokusuar kryesisht në dhënien e ndihmës grave shtetase të huaja që janë trafikuar në Kosovë. Situata sipas Dedollit ka ndryshuar gjatë viteve 2005-2006, kur Kosova që deri atëherë ishte vetëm destinacion u bë vend i origjinës së trafikimit të qenieve njerëzore, dhe në këtë moment qendra në fjalë filloi të angazhohet edhe me gratë e Kosovës. “Ne kemi fillu me ju ndihmu vajzave dhe grave që janë trafikuar në Kosovë e që kanë qenë nga Moldavia, Rusia, Ukraina, Bullgaria, Serbia dhe vende të ndryshme”, thotë Dedolli duke theksuar se qendra gjithmonë i ka trajtuar njëjtë gratë pavarësisht se ato vinin nga vendet e huaja.
“Prej fillimit motivi ka qenë ti ndihmojmë vajzave dhe grave që kanë qenë në nevojë, në fillim ato kanë qenë kryesisht viktima të trafikuara që kanë ardhur nga shtete të huaja në Kosovë”, shpjegon Dedolli duke thënë se qendra MVPT është një OJQ që fokusohet në rehabilitimin dhe riintegrimin e grave të trafikuara. Dedolli thotë se kujdeset për të drejtat e njeriut dhe se është shumë e përkushtuar që t’ju ndihmojë viktimave të trafikimit dhe viktimave të mundshme.

Faktorët që shkaktojnë trafikimin me qënie njerëzore
Duke diskutuar mbi faktorët që i bëjnë njerëzit të pambrojtur ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, Keti Dedolli thekson aty luan rol varfëria dhe situata e keqe ekonomike. “Jo të gjitha por shumë prej tyre (viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore) vijnë prej familjeve në varfëri dhe thjesht të tjerat për me ndihmu familjen, ndonjëherën për me u vesh per vete, për nevoja shumë bazike që i kanë, i shtyjnë që të bien pre e trafikimit”, thotë Dedolli duke shtuar se edhe diskriminimi gjinor brenda familjeve të viktimave ndikon që ato të bëhen pre e trafikimit të qenieve njerëzore. “Vajzat nuk i kanë të drejtat e barabarata më djemtë në familje, ato nuk munden me dal aq sa dojnë nuk munden me u shkollu aq sa kanë dëshirë dhe shpesh kjo i mllefos ato dhe i shtyn ndoshta që pa dijen e familjes të dalin dhe kërkojnë punë”, shpjegon Dedolli duke thënë se një ofertë e panjohur joshëse i tërheq ato drejt hyrjes në shoqëri të dyshimtë. “Trafikantët fatëkeqesisht dijnë aq mirë me u kamuflu edhe me ba oferta aq të mira për këto vajza dhe për këto gra sa që nuk është e vështirë me u bë pre e trafikimit”, thekson Dedolli.

Të punuarit me viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore
Qendra i këshillon gratë e trafikuara lidhur me procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri. “Deri tash i kemi udhëzu mbi 600, i kemi rehabilitu dhe punojmë në riintegrimin të tyre”, thotë Dedolli. Ajo shpjegon se këto gra i janë nënshtruar terrorit të madh psikologjik: “Ato abuzohen, shantazhohen aq shumë saqë ato e humbin plotësisht identitetin e tyre”.
Duhet punuar shumë me to në mënyrë që ato të rifitojnë besimin tek njerëzit e tjerë, thotë Dedolli.
 
Pikturë e Besa Sopjani

Shërbimet e ofruara nga qendra
Qendra MVPT ofron shërbime mjekësore, ligjore dhe psikologjike për gratë që kanë qenë viktima të trafikimit njerëzor. “Më pastaj kur ato vetë përgatiten, kur psiqikisht rehabilitohen atëherë merremi më tepër me edukimin e tyre nëse kanë nëvojë me e vazhdu shkollimin”, thotë Dedolli duke shtuar se qendra në bashkëpunim me viktimat e harton planin e tyre personal të riintegrimit. Në vitin 2008, qendra MVPT e hapi qendrën për rehabilitimi ku janë ndihmuar 128 viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, ndërsa në programin e ri-integrimit janë këshilluar 48 përfituese. Sfida më e madhe e qendrës MVPT është financimi. “Për një muaj me këtë ritëm që punojmë na duhen afër 10 mijë euro për rehabilitimin dhe një pjesë të riintegrimit”, thotë Dedolli dhe shton se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës kontribuon në qendër me 25 për qind të shpenzimeve për pjesën e rehabilitimit dhe riintegrimit. Gjatë vitit 2013 qendra MVPT ka patur rreth 38 përfituese. Shqetësimi i MVPT-së është gjetja e donatorëve të rinj për vitet në vazhdim ngase donatorët aktual janë duke i zvogëluar kontributet e tyre.

Mesazhi i Keti Dedollit për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë

Trafikimi i qënieve njerëzore është shkelja më drastike e të drejtave të njeriu. Dhuna më e ashpër që mund ti bëhet një personi, një qënies njerëzore. Andaj konsideroj që duhet të vazhdojmë të punojmë në ngritjen e vetëdijësimit, të vetëdijësojmë rininë që trafikimi me qënie njerëzore është prezent në Kosovë, po ndodhë në Kosovë. Fatëkeqësisht po shkon prej vajzave më të reja që janë ndoshta 13-14 vjeçare deri tek gratë 50 e diçka vjeçare. E kemi pasur një përfituese 57 vjeçare që e kemi asistu si viktimë të trafikimit. Vajzat e reja të mos i besojnë njerëzve të huaj, të mos pranojnë oferta joshëse, por paraprakisht të vërtetohen para se të pranojnë diçka, të hulumtojnë pakëz çka është, kush është ky person pse po e ofron këtë punë, pse po e ofron këtë pagë, ose a duhet ose nuk duhet me e marrë, kjo është më e rëndësishmja. Në shkolla duhet të punohet edhe ma tepër në këtë drejtim që fëmijët tonë, edhepse është me kurikulë si lëndë, mirëpo edhe më tutje ka nevojë që fëmijët edhe shkolla të kuptojnë se sa i rrezikshëm është trafikimi dhe sa është prezent.

 
________________________________________________________

Puna e detyruar
Trafikimi i qenieve njerëzore nuk është i kufizuar vetëm tek trafikimi për shfrytëzim seksual, por aty përfshihet edhe puna e detyruar gjë që paraqet një formë moderne të skllavërisë, e që përbën një krim të rëndë dhe dhunim të rëndë të drejtave të njeriut. Për më tepër, fëmijët nga Kosova dhe vendet fqinje detyrohen me forcë që të kërkojnë lëmoshë.
Gjatë muajit kushtuar anti-itrafikimit (18 shtator - 18 tetor 2013) nën moton “Hapi sytë. Ke kujdes” Koordinatori i Kosovës për Anti-Trafikim, i mbështetur nga disa organizata ndërkombëtare dhe vendore, si dhe nga institucionet e Kosovës, ka zbatuar fushatën për ndërgjegjësimin e publikut. Fushata kishte për qëllim që njerëzve t’ju tërheq vëmendjen për rreziqet dhe shenjat paralajmëruese të trafikimit të qenieve njerëzore. Fokus i posaçem i këtij muaji ishte parandalimi i shfrytëzimit të fëmijëve dhe të rinjve të Kosovës.

 
 

 

Komentet

    Komento