Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Dita 12

Kampanja

Dita 12 - Dhjetor, 06 2013
Meshkujt duhet të angazhohen në luftën kundër dhunës në baza gjinore
 
Behar Selimi, deputet në Kuvendin e Kosovës dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, thotë se në shoqërinë e Kosovës meshkujt janë ata që duhet të kontribuojnë në barazinë gjinore. Gjatë punës së tij në Polici, Selimi hapësirë të madhe i ka kushtuar punës për barazinë mes gjinive në të gjitha strukturat e Policisë së Kosovës.

Të punuarit vetëm me një pjesë të shoqërisë nuk është e mjaftueshme për të bërë ndryshime në sektore të rëndësishme të shoqërisë së Kosovës, atë të sigurisë, zhvillimit ekonomik, dhe mirëqenies sociale. Ky është shqetësimi kryesor i Behar Selimit. Ai pohon se beson në barazinë jo vetëm si një e drejtë njerëzore, por edhe si përfaqësimi i barabartë mes burrave dhe grave në sektorin strategjik të sigurisë dhe Policisë së Kosovës. Ai thotë se ai është i interesuar për t'u angazhuar kryesisht në çështjet publike që do e ndihmojnë popullin e Kosovës.

Barazi për të gjithë
“Barazinë e kuptoj si mundësi e barabartë e çdokujt për të ushtru profesionin, për shkollim”, thotë Selimi duke shtuar se burrat dhe gratë janë të barabartë.” “Ndërgjegjësimi i burrave është i rëndësishëm për barazinë mes gjinive”, thotë anëtari i Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se do të donte të shihte gra në pozita të larta edhe në Kuvendin e Kosovës, në institucionet tjera dhe në zyrat e rëndësishme publike.
“Femrat janë trajtuar dhe ndihen të diskriminuara dhe duke qenë se vazhdimisht kanë qenë të diskriminuara dhe dhuna ndaj grave kryesisht vjen prej burrave”, thotë Selimi duke theksuar se paragjykimet ekzistojnë vetëm në sytë e meshkujve të Kosovës. Selimi shpjegon se shumë meshkuj, figura publike, duhet të jenë pjesë e organizatave që punojnë në fushën e barazisë gjinore.
“Kohë të gjatë kam qenë edhe aktivist për çështje të barazisë gjinore në Republikën e Kosovës madje kam qenë edhe anëtar i bordit të rrjetit të grave për një mandat”, thotë Selimi i cili për 11 vjet ka shërbyer në Policinë e Kosovës (PK), fillimisht si zëvendës komesar për mbështetje administrative, komandant i njësive speciale, drejtor i policisë kufitare dhe drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Selimi kujton se ai gjithmonë ka patur gra kolege në ekipet me të cilat ka punuar. “E kam kërkuar mendimin e kolegeve femra sespse e di se mendimet i peshojnë më mirë dhe i karakaterizon kujdesi më i madh për pasojat e vendimit, janë më analitike dhe nuk veprojnë me impuls”, thotë Selimi duke shtuar se në dy raste zëvendësit e tij ishin oficere femra me pozita të larta në Policinë së Kosovës.

 
Më shumë gra në vendimmarrje të Policisë së Kosovës
Selimi është në mesin e disa meshkujve që kanë merita të drejtpërdrejta për praninë e grave në Policinë e Kosovës, jo vetëm të grave në pjesën e administratës, por edhe në praninë e grave oficere të policisë që patrullojnë në rrugë të qyteteve të Kosovës. “Fillimisht kam qenë shumë fanatik që ti rrijmë besnik një kuote ku diku 15 për qind të jenë femra në uniformë, jo vetëm në polici por në uniform sepse në polici del diku se janë 30 për qind femra duke i marrë parasysh ato që punojnë në shërbime administrative, civile”, shton Selimi.
Selimi tregon se ka kërkuar që të ketë mekanizma të ndryshëm, procedura që do të mbajnë të sigurt përqindjen aktuale të femrave në Policinë e Kosovës .“Unë e kam bërë institucionalizimin e çështjes gjinore brenda organizatës me ndihmën e organizatave të tjera, ka qenë UNIFEM (tani UN Women) si organizatë që janë marrë më këtë çështje, më kujtohet Flora Macula (nga UN Women) ka ardhur na ka ndihmuar me donacion për të bërë institucionalizimin”, kujton Selimi duke shtuar se aktualisht  Policia e Kosovës ka oficerë të barazisë gjinore që merren vetëm me këtë çështje.
“Në nivele rajonale janë poashtu këshillat rajonal duke përfshirë edhe 2 oficerë në nivel stacionesh që kanë të bëjnë me çështje të barazisë gjinore dhe mundësive të barabarta”, shpjegon Selimi duke shtuar se ai ka punuar shumë për të bërë që këto gjëra të ndodhin.
Selimi po ashtu thotë se ai ka investuar shumë që të kontribuojnë në krijimin e Asociacionit të grave police të Kosovës. “Shoqata është shumë e rëndësishme, sepse ajo në mënyrë specifike trajton çështjen e barazisë gjinore”, thotë ai duke shtuar se me anë të kësaj shoqate ruhet ndikimi thelbësor i grave në Policinë e Kosovës.
Selimi thotë se dhunë nuk është vetëm dhuna fizike, por edhe ajo psikologjike. “Te na mendoj se dominon ma shumë dhuna psikologjike, gratë durojnë shumë fyerje, dhunime psikologjike që u bëhen si në vend të punës, në familje derisa të shpërthen në dhunë fizike”, shpjegon Selimi i cili është i bindur se situata aktualisht është shumë më e mirë se në të kaluarën edhe pse ka ende shumë punë për të bërë. Barazia gjinore sipas Selimit do të ishte e dobishme për burrat dhe ajo do t’ju sjellë atyre më shumë barazi, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie në shtëpitë e tyre.

Mesazhi i Behar Selmit për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
Të dashur të rinj dhe të reja të Kosovës besoni në barazi. Barazia është zhvillim, barazia është siguri, barazia është përparim. Përpiquni të ndryshoni shumë më shumë nga ne, në mënyrë që të trajtoni si të barabartë edhe gjininë tjetër qoftshit ju femra apo ju mashkuj. Prandaj ju ftoj që të ndryshoni shumë.


 
 

 

Komentet

    Komento