Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Dita 11

Kampanja

Dita 11 - Dhjetor, 05 2013
Aktivistët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptase angazhohen kundër dhunës në baza gjinore
 
Pesë koordinatorët e Rrjeti të organizatave të grave rome, ashkali dhe egjiptase të Kosovës (RROGRAEK) janë duke punuar në pesë komuna të ndryshme nëpër Kosovë me komunitetet e tyre, për t'i bërë ata më të vetëdijshëm për rreziqet e dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje. Ata i informojnë gratë rome, ashkali dhe egjiptase për të drejtat e tyre dhe institucionet ku ato mund të paraqesin ankesat e tyre.

Këta të rinjë dhe të reja janë të angazhuar nga Rrjeti i organizatave të grave rome, ashkali dhe egjiptase të Kosovës (RROGRAEK) për të punuar me komunitetet e tyre përkatëse në thyerjen e stereotipeve gjinore. Ata punojnë si koordinatorë të RROGRAEK-ut për të drejta të grave/barazi gjinore në pesë komuna të ndryshme. Ndër shqetësimet kryesore të këtyre tre burrave dhe dy grave është lufta kundër dhunës në baza gjinore duke u përqëndruar edhe në dhunën në familje në mesin e grave të komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptase. Ata tregojnë për punën e tyre të përditshme duke përfshirë raste me të cilat ballafaqohen, si dhe përmendim edhe sfidat me të cilat përballen gjatë punës me çështje të grave në këto komunitete të margjinalizuara.

Martesat e hershme dhe varfëria shkaktare të dhunës në baza gjinore
Jakup Kurti është koordinator i RROGRAEK-ut për barazi gjinore në Gjakovë. “Është një ndjenjë shpirtërore që mua më përcjell gjithmonë duke u frymëzuar nga brenda që ti ndihmoj në veçanti grave të këtyre komuniteteve që të eliminojmë dhunën në familje, që tu japim mundësi që ti kenë të gjithë të drejtat e barabarta”, thotë Kurti, një 30 vjeçar nga Gjakova.
Kurti tregon se ndjehet keq sa herë që informohet për dhunën në familje. “Ne kemi të bëjmë me një mentalitet të instaluar fatëkeqësisht tek komuniteti dhe jemi duke punur në këtë drejtim që ta zbusim këtë mentalitet”, thotë Kurti duke shtuar se mentaliteti i përgjithshëm në shoqërinë e Kosovës mbi barazinë gjinore nuk mund të ndryshohet pa angazhimin aktiv të meshkujve. Kurti pranon se gjatë punës së tij në terren ai është takuar me meshkuj të cilëve nuk u ka pëlqyer ideja që një mashkull ti dëgjojë problemet e tyre gjnore brenda familjes.
“Ne i kemi identifikuar martesat e hershme, gjendjen ekonomike si ato që ndikojnë në krijimin e dhunës në familje, dmth këto dy elemente janë si shkak që ne në familje kemi dhunë gjinore”, thotë ai.

Arsimimi si zgjidhje në luftimin e dhunës në baza gjinore
Faruk Zeneli, një student 22 vjeçar i ekonomisë në Universitetin e Prizrenit punon në Pejë si avokues i RROGRAEK-ut për çështjet gjinore. Zeneli thotë se në fillim ai nuk ka marrë reagime pozitive për punën lidhur me dhunën në baza gjinore. “Shoqnia prej nga unë vi, ndaj këtij aktivizmi timin, kësaj nisme timen që të punoj punë avokuese kundër eliminimit të diskriminimit në baza gjinore, ka pas një reagim jo aq të mirë duke ditur se zakonisht shkaktarë të dhunës në familje janë burrat“, thotë ky aktivist i ri. “Duke e njohur mentalitetin e popullit të Kosovës kjo ka qenë pak e vështirë por rinia e emancipuar, shokë e shoqe në fakultet e kanë pritur më mirë duke lavdëruar atë që unë kam arritur të bëj deri tani”, shton Zeneli.
Sipas Zenelit, diskriminimi i vajzave dhe mos dërgimi I tyre në shkollë, kombinuar me kushtet e vështira ekonomike, është ndër arsyet kryesore të dhunës ndaj grave në këto komunitete.

Fushatatë ndërgjegjësimit për barazi gjinore
“Ne i kemi organizuar 2 fushata me pjestarë nga komunitetet rome, ashkali, egjiptase ku kemi diskutuar me ta në lidhje me raportimin e dhunës me bazë gjinore, kur ata e shohin atë. Ne u kemi treguar se ku dhe se si ata mund të raportojnë dhunën në baza gjinore”, thotë Ardian Maksuti, koordinator i RROGRAEK-ut në komunën e Prizrenit. Maksuti pohon se gjatë punës së tij ka hasur në shumë probleme në familjet e këtyre komuniteteve. “Kur e kemi bërë kampanjën edhe pse jemi 2 djem dhe 3 vjaza na kanë shikuar me sy krejt tjetër duke na falënderuar që po i ndihmojmë gratë. Kjo na ka bërë që të ndihemi mirë”, shton Maksuti. Megjithatë, ai ka hasur edhe momente të tjera të vështira kur është përballur me meshkuj të zemëruar të cilëve nuk u pëlqen ideja që një tjetër mashkull t’ju shpjegoj grave të tyre se si ato mund ti raportojnë burrat e tyre, nëse goditen nga ata.
Maksuti thotë se përmes fushatave të ndryshme mund të ulet por jo të çrrënjoset dhuna në baza gjinore.

Më shumë arsimim për gruan dhe më shumë prani të saj në nivel komunal
Mirlinda Berisha, një grua e re nga Rahoveci, është koordinatoree RROGRAEK-ut për të drejtat e grave në komunën e saj. Shumicën e ditëve të punës Berisha i kalon duke takuar njerëz në institucione dhe duke i lidhur ata me gra të pa informuara se ku dhe si mund të raportojnë dhunën në baza gjinore. “Komuniteti më ka pritur mirë”, thotë Berisha duke shtuar se problem madhor në mesin e romëve, ashkalive dhe egjiptasve janë martesat e hershme të gravetë reja, të cilat shkaktojnë probleme të tjera duke përfshirë aty edhe dhunën. “Ka gra që nuk e dinë se ku mund të raportojnë dhunën në baza gjinore”, shton ajo dhe thekson se gratë gjithashtu duhet të jenë më të pranishme në institucionet e komunës për të zbatuar më shumë politika të ndjeshme gjinore dhe për të rritur besimin e grave ndaj institucioneve.
Mirsada Tahiri punon si avokuese e RROGRAEK-ut për çështje gjinore në rajonin e Podujevës. “Unë merrem me aktivitete që kanë të bëjnë me çështjet në bazë gjinore dhe unë e bëjë këtë për të mirën e komunitetit”, shpjegon Tahiri. Ngjajshëm si kolegët nga rajonet e tjera, ajo e konsideron arsimimin e grave të reja dhe parandalimin e martesave të hershme si mjet i rëndësishëm në uljen e dhunës në baza gjinore në mesin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptase.
 
Rekomandimet
Ende ka mjaft për të bërë në tejkalimin e dhunës në baza gjinore në mesin e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Një mënyrë sesi kjo mund të realizohet është përmes fuqizimit të grave, përfshirë edhe të grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptase. Një raport i përgatitur nga RROGRAEK në vitin 2012 i liston disa rekomandime sesi mund të bëhet kjo, duke përfshirë fushata informuese, edhe mes institucioneve komunale dhe akterëve të shoqërisë civile; trajtimin e çështjes së grave rome, ashkali dhe egjiptase në të ardhmen si sektor i veçantë në dokumentet strategjike dhe planet e veprimit për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas; vazhdimin e investimit intenziv në arsimimin dhe edukimin e grave dhe vajzave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptase dhe sigurimin e mundësive të barabarta të gjinive në arsimim. Të gjitha këto do ta përcaktojnë në një masë të madhe nivelin e sigurisë si dhe zhvillimin socio-ekonomik të grave rome, ashkali dhe egjiptase.

Mesazhi i Jakup Kurtit për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
Dhuna gjinore nuk është e mirë andaj të gjithë të rinjt e Kosovës duhet që ti largohen kësaj dhune për shkak se kjo na sjellë vetëm dëm. Duhet që të vazhdojmë dhe të krijojmë një jetë më të mirë duke u trajtuar të gjithë të barabartë dhe duke mos i bërë të padrejtë asnjërit.

Mesazhi i Faruk Zenelit për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
Rininë kosovare e këshilloj që të mos bëj dallime në baza gjinore. Që të mos dalloj a është femër apo mashkull sepse si në familje ashtu në shoqëri jemi të gjithë të barabartë dhe vetëm në këtë mënyrë mund të ecim përpara dhe të integrohemi dhe ti njohim vlerat e njëri tjetrit si krijesa të barabarta para Zotit.

Mesazhi i Ardian Maksutit për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
Mesazhi im për të gjihë shoqërinë kosovare është që ata ta denoncojnë dhunën, të mos përdorin dhunë, si dhe ta pranojnë njeri tjetrin pa dallim feje, gjinie dhe race.

Mesazhi i Mirlinda Berishës për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
Kam një mesazh për të rinjt kosovarë që dhuna familjare ndikon negativisht në shoqërinë tonë dhe kisha pasë shumë dëshirë që të gjithë të rinjt të shikojnë, të mundohen të bëjnë përpjekje sa më të shumta të ndalojnë dhunën në familje. Të mendojnë për një të ardhme të shëndrritshme. Edhe mendoj se çdo problem në këtë jetë ka zgjedhje. Prandaj unë kisha thënë ose kisha sugjeruar që rinia jonë të punoj sa më shumë për barazi gjinore.

Mesazhi i Mirsada Tahirit për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
Mesazhi im për të rinjt kosovarë është që ta ndjekin shkollimin, edukimin sepse pa shkollë dhe edukim nuk mund të arrihet asgjë. Ju kisha lutur të gjithë prindërve që mos ta devijojnë fëmijën e vet, që ta lejojnë që të shkoj në shkollë, sidomos vajzat e reja, të cilat martohen në moshë shumë të mitur, që ta vazhdojnë mësimin dhe të mos mbesin mbrapa. Poashtu një mesazh tjetër është që të mbajnë mend që dhuna nuk duhet të ndodhë në familje, ose që ka ndodhur mund të ndodhë përsëri nëse nuk e denoncon dhunën, ajo përsëri mund të bëhet e dhunshme.

 

 

 

Komentet

    Komento