Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Dita 10

Kampanja

Dita 10 - Dhjetor, 04 2013
Kombinimi i artit dhe biznesit të bletarisë
 
Elvanë Qorri ka vendosur që të bëj ndryshime në jetën e saj si mësuese e muzikës në shkollën e mesme artistike “Prenk Jakova” në Gjakovë. Muajve të fundit ajo ka qenë duke u bërë gati për të nisur biznesin e bletarisë. Fuqizimi ekonomik i grave nga të gjitha komunitetet në Kosovë mund të përdoret për të parandaluar dhunën me bazë gjinore, në veçanti duke i bërë gratë më pak të varura nga familjet dhe bashkëshortët e tyre.

Elvanë Qorri dëshiron që të ketë biznesin e saj, ajo tashmë i ka blerë 6 koshere për bletë dhe po pret ardhjen e pranverës që të nis biznesin e mjaltit. Qorri dëshiron që të prodhoj ushqim me cilësi të lartë të bazuar në mjaltë ndërsa ka disa muaj që po punon në konceptin e saj të biznesit.
“Mundem me thanë se përmes artit muzikor kam arritur me e njoftë artin në përgjtihësi, unë jam edukuar që ta njoh të bukurën, bleta është një lloj insketi i mrekullueshëm”, thotë Qorri duke shtuar se ajo e konsideron mjaltin si njërin ndër ushqimet më të ushqyeshme. Aktualisht Qorri, një grua 34 vjeçare, punon si mësuese e muzikës.

Një trajnim shumë i dobishëm nga RROGRAEK dhe ECMI
Qorri thotë se idenë për të filluar një biznes e ka kultivuar tashmë një kohë të gjatë, por vendimtare në këtë drejtim ishte pjesëmarrja e saj në një trajnim të organizuar nga Rrjeti i organizatave të grave rome, ashkali dhe egjiptiane të Kosovës (RROGRAEK) në bashkëpunim me Qendrën evropiane për çështje të minoriteteve (ECMI Kosovo). Trajnimi është organizuar si pjesë e projektit të financuar nga projekti i përbashkët i UN Women, UNDP-së dhe BE-së për gratë, paqen dhe sigurinë.
“Projekti i RROGRAEK dhe ECMI-t më ka ndihmuar shumë, aty jam edukuar sesi zhvillohet një biznes dhe gjatë trajnimit e kam parë veten sesa jam e aftë për me zhvillu një biznes, dhe njëkohësisht e kemi vlerësuar vetveten. Në këtë trajnim kam mësuar për hapat e parë në biznes”, thotë Qorri. Një tjetër arsye e rëndësishme pse ajo hyri në biznesin e bletarisë është se dëshiron që të prodhoj ushqim të shëndetshëm, pasi që sipas saj në Kosovë nuk ka aq shumë ushqime të shëndetshme dhe të cilësisë së lartë. Aktualisht ajo po ndihmohet nga disa bletarë me përvojë. “Unë jam në kontakt me disa profesorë që janë bletarë të diplomuar dhe unë e kam mbështetjen e tyre si bletarë profesionistë”, shton ajo.

Dhuna në baza gjinore eliminohet përmes fuqizimit ekonomik dhe arsimimit
“Është e domosdoshme që femrat të kenë një biznes të vetin që të mos jenë të mvaruara nga familja ose nga bashkeshorti, dhe normalisht kështu edhe eleminohet dhuna gjinore”, thotë Qorri. Ajo thekson se ekonomia e Kosovës ka nevojë për kontributin e grave nga të gjitha komunitetet në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe gratë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptiane, pjesëtare e të cilëve është edhe ajo. Qorri thotë se meshkujt kanë nevojë për të parë dhe të kuptojnë se çfarë ka për të ofruar gjinia tjetër, dhe kjo sipas saj është një lloj i edukimit përmes së cilit luftohet dhuna në baza gjinore.
“Unë përsonalisht nuk e kam këtë problem, kam pas përkrahje nga familja dhe shoqëria por shpeshherë e shof ne fytyrat e njerëzve që dojnë me thanë sesa është e vështirë për një femër më zhvillu biznes sidomos kjo puna e bletarisë”, shton Qorri. Ajo e konsideron veten me fat, sepse ajo ka mbështetje nga miqtë dhe familja. Qorri thotë se nuk është e vetme në përpjekjet e saj për të bërë biznes. “Do të ishte e vështirë në qoftë se unë do isha e vetme në këtë biznes”, thotë ajo, duke shtuar se mendon ta zgjeroj biznesin e saj të bletarisë.
 
Ndihmë për gratë nga komunitetet e margjinalizuara
Çështjet shëndetësore, obligimet familjare dhe mungesa e dokumenteve të identifikimit janë identifikuar si disa nga arsyet kryesore që i pengojnë gratë e papunësuara, të komuniteteve rome, ashkalie dhe egjiptiane, për të qenë pjesë e tregut të punës në Kosovë, shkruan në dokumentin “Promovimi i fuqizimit ekonomik të grave rome, ashkali, dhe egjiptiane të Kosovës”, të hartuar nga RROGRAEK dhe ECMI Kosovo.
“Më konkretisht, ndërsa nuk ka statistika të publikuara zyrtare veçanërisht lidhur me gratë rome, ashkalie dhe egjiptitiane të Kosovës sipas hulumtimit, të kryer në vitin 2009, nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS - SOROS) më pak se 6% e të intervistuarave thanë se kanë punë që paguhet, ndërsa vetëm 0.8% janë të vetëpunësuara”, shkruan në raportin e lartpërmendur.
Ndër rekomandimet e ofruara nga ky raport përfshihet miratimi i masave aktive, kryesisht duke u fokusuar në sferën e arsimit dhe trajnimit profesional, si dhe në ofrimin e mbështetjes financiare dhe materiale për inicimin e aktiviteteve të bizneseve të vogla; përpjekje të gjerë në ngritjen e vetëdijes në mesin e qytetarëve lidhur me mundësitë ekzistuese të punësimit dhe të shërbimeve që janë në dispozicion në nivel komunal; zbatimin e masave afirmative, mekanizmave të përshtatura të rekrutimit dhe të instrumenteve të tjera që lejojnë një angazhim vendimtar kundër të gjitha formave të diskriminimit në bazë të përkatësisë etnike apo në bazë gjinore në çështjet që ndërlidhen me punësim.

Mesazhi i Elvanë Qorrit për rininë lidhur me perceptimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë
E këshilloj rininë kosovare që të përkrahë femrat në biznes, ti stimuloj ato ngase ato janë të suksesshme, përderisa femrat në biznes kanë suksese atëherë pse të mos përfitoj e gjithë shoqëria kosovare. Në këtë mënyrë duhet menduar, gjithashtu ju duhet menduar që të eleminohet dhuna gjinore në Kosovë, të përkrahet barazia gjinore.   

 
Nësë jeni të interesuar për të nisur një biznes tuajin, klikoni këtu për listë të donatorëve potencial.

  
 

 

Komentet

    Komento