Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Dita 1

Kampanja

Dita 1 - Nëntor, 25 2013
Një strehë e sigurtë për gratë që pësojnë dhunë në familje

 

Dhjetë gra duke përfshirë psikologe, menaxhere, menaxheret e rasteve, punonjëset sociale dhe këshilltaret për gratë që kanë pësuar dhunë në familje janë të angazhuar te “Liria” - Qendra për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave dhe fëmijëve që ndodhet në komunën e Gjilanit. Ato kujdesen për gra të cilat kanë raportuar raste të dhunës në familje në dhjetë komuna, duke përfshirë Gjilanin, Ferizajin dhe Kaçanikun.

Ajo nuk mund ti duronte më rrahjet e vazhdueshme të shkaktuara nga burri i saj i dhunshëm. S.I. vendosi që ta marrë fatin në duar të veta dhe ti thotë jo dhunës në familje. Kjo e ka shpëtuar S.I.-në por ka ndikuar që ajo të përjashtohet prej shtëpisë familjare, nga tashmë ish-bashkëshorti i saj, ku jetonte me të dhe tre fëmijët.
S.I. nuk e ka përjetuar vetëm dhunën fizike të shkaktuar nga burri i dhunshëm por edhe atë psikologjike kur ish-burri i saj në shtëpi e ka sjellur gruan e dytë shtatzënë me trenjakë. Por S.I. vazhdoi të jetonte në këtë bashkësi familjare vetëm shkaku i fëmijëve. Dhuna konstante nga ana e ish- burrit të saj dhe qortimi i vjehrrës ndikoi që ajo ta denoncoj bashkëshortin në polici dhe të largohet nga banesa familjare për tu vendosur në strehimoren e Prishtinës të dedikuar për gratë që pësojnë dhunë në familje. Gjatë qëndrimit në strehimore ajo është sulmuar nga burri i saj i cili e ka rrahur atë, i hidhëruar me denoncimin e saj në polici për shkak të dhunës në familje. Pas këtij incidenti ajo është transferuar në një strehimore tjetër kurse fëmijët i ka takuar përmes qendrës së mirëqënies sociale.
S.I. tashmë është në pritje të seancës gjyqësore së 12 dhjetorit ku pret që ti marrë fëmijet nën përkujdesje. Ajo ka shpresuar që bashkë me fëmijët të vendosej në njëren nga 2 banesat e ish-burrit, por ai tashmë e ka shitur njëren banesë duke mbajtur në pronësi vetëm një banesë ku jeton me gruan e tretë dhe tre fëmijet e S.I. Gjykata ka vendosur që ajo të kthehet në familje dhe të ndajë vendbanimin me ish-burrin e saj, por kur ajo është kthyer ai e ka rrahur derisa ka intervenuar policia, kurse ajo është kthyer përsëri në strehimore. S.I. tregon se edhepse vazhdimisht e ka denoncuar ish-burrin e vet në polici ai asnjëherë nuk është dënuar apo arrestuar. Për momentin S.I. jeton në një strehimore larg nga familja e saj. Rasti i S.I.-së e rrëfen historinë e dhunës në familje që jo rrallëherë shkatërron familje të tëra, nga i cili fenomen Kosova nuk është përjashtim.

Dhuna familjare - një temë tabu
Në të kaluarën jo aq të largët dhuna në familje ishte një temë tabu që nuk diskutohej publikisht në shoqërinë e Kosovës. Megjithatë kjo gjendje ka filluar të ndryshojë pas vitit 1999 kur u raportuan rastet e para të dhunës në familje në Kosovë. Nazife Jonuzi drejtoreshë e Qendrës për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave dhe fëmijëve thotë se qendra është fokusuar aktualisht në parandalimin, mbrojtjen dhe ri-integrimin e grave që janë viktima të dhunës në familje.
“Dhuna në familje konsiderohej tabu, por tani për fat të mirë gratë janë duke raportuar dhunën në familje dhe janë duke iu referuar institucioneve, kështu që pas 14 vitesh dhuna në familje në Kosovë është duke u debatuar”, shpjegon Jonuzi ndërsa qëndron e ulur në zyrën e saj në strehimoren “Liria” në Gjilan.
Ajo shton se faktorët që ndikojnë në dhunën në familje ndaj grave kosovare mund të gjenden në stresin dhe traumën e shkaktuar nga konflikti i vitit 1999 dhe situatës jo të lehtë ekonomike në të cilën gjendet shumica e familjeve në vend. “Kryesisht në këtë qendër ofrohen shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe viktimat e trafikimit me rrezik të ulët”, thotë Jonuzi duke shtuar se mungesa e fondeve të duhura e bën punën më të vështirë.
Shumica e donatorëve ndërkombëtarë vit për vit e kanë zvogluar mbështetjen e tyre financiare. Aktualisht strehimorja “Liria” sipas drejtoreshës Jonuzi merr një subvencion mujor prej 2,000 eurosh nga Ministria e Punës dhe mirëqenies sociale. Me këtë ndihmë financiare , qendra paguan për ilaçe, veshmbathje, dhe trajtimin për gratë që janë pjesë e qendrës. Ajo shpreson se kjo shumë do të rritet nga qeveria e Kosovës për shkak të nevojave të shumta që i kanë gratë e vendosura në këtë qendër, sidomos nëse ato kanë fëmijë që duhet të jetë të përgatitur për shkollë. Komuna e Gjilanit e ndihmon strehimoren duke paguar faturën e qirasë, atë të ngrohjes dhe të energjisë elektrike. Kjo komunë gjithashtu ka hartuar një strategji për mbrojtjen kundër dhunës në familje e cila strategji është miratuar nga kuvendi komunal dhe pritet të realizohet gjatë vitit 2014.
 
_____________________________________

Mbrojtja e fëmijëve

Nuk ka asnjë përkufizim univerzalisht të pranuar të dhunës ndaj grave dhe dhunës ndaj fëmijëve. Një dhunë e tillë është e pranishme në çdo vend, kalon kufijtë e kulturës, klasës, arsimit, të ardhurave, përkatësisë etnike dhe moshës. Megjithatë, skllavëria, trafikimi, shfrytëzimi dhe puna e fëmijëve të gjitha janë forma të dhunës.

Jo të gjithë fëmijët bien në grackë duke u bërë viktima apo abuzues. Shumë të rritur të cilët janë rritur me dhunë në shtëpi, e kundërshtojnë në mënyrë aktive dhunën e të gjitha llojeve. Ka arsye për të besuar që fëmijët e dijnë se dhuna në familje është e gabuar dhe në mënyrë aktive duan që ajo të ndalet. Shumë fëmijë të cilët janë të pranishëm gjatë akteve të dhunës në familje përpiqen të ndihmoojnë. Shumë mund të ndryshohet duke e bërë këtë problem publik. Mesazhi për të gjithë duhet të jetë se dhuna në familje është e dëmshme për të gjithë, duke përfshirë edhe fëmijët, të cilët i ekspozohen asaj, dhe se ajo mund të ndalet.

Nga ofrimi i shërbimeve dhe mbështetjes për viktima të rritura të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore mund të përfitojnë fëmijët, sidomos kur konsiderohen nevojat specifike të fëmijëve. Mbështetja për gjetjen e strehimit të sigurt, ndihmë me të ardhura, qasje në kujdesin shëndetësor dhe referime për shërbime mbështetëse psiko-sociale duhet të konsiderohen si mjete për të ndihmuar të gjitha viktimat e dhunës në familje.

 

Parandalimi i dhunës në familje përmes aktiviteteve dhe shërbimeve
Për të parandaluar dhunën në familje Qendra për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave dhe fëmijëve ka shpërndarë informata lidhur me atë sesi kjo dhunë mund të raportohet përmes punëtorive të ndryshme. “Për dhjetë vjet ne kemi organizuar seminare për të drejtat e grave, për pasojat e dhunës në familje”, thotë Jonuzi duke shtuar se dhuna në familje duhet të raportohet .
Në mesin e shërbimeve të ofruara në qendër është paketa e strehimit ku përfshihen aktivitete psiko - sociale, leximi në bibliotekë, dërgimi i fëmijëve në shkollë, nëse gratë nuk ndihen të sigurta për të dalur jashtë qendrës . “Stafi i qendrës punon me fëmijë, i shoqëron ata për në shkollë dhe i i bjen prej shkollës”, thotë ajo duke theksuar se qendra përpiqet të punësojnë gra në biznese të ndryshme private në mënyrë që ato të fillojnë të mbajnë ekonomikisht veten. “Kjo është paksa e vështirë por ne në bashkëpunim me qendrën rajonale të punësimit, me qendrat e biznesit na jena munduar që ato gra që kanë shprehur dëshirë i kena punësu nëpër kompani të ndryshme, restorante, ku kanë përgatitur bukë, kanë larë enë, janë përkujdesur për pleq, për fëmijë, etj.”, thotë Jonuzi duke sqaruar se qendra ka një marrëveshje me spitalet dhe ambulancat për të përdorur shërbimet e tyre falas, kur gratë nga strehimorja kanë nevojë për kujdes mjekësor. Strehimorja në Gjilan gjithashtu përpiqet që grave t’ju siguroj një mundësi për të vazhduar shkollimin e tyre dhe i ndihmon ato të plotësojnë dokumentacionin në mënyrë që ato të mund të aplikojnë për ndihmë sociale. “Na i monitorojmë viktimat dhe asnjëherë nuk e ndërpresin kontaktin me viktimën, kohë pas kohë ato kërkojnë ndihmë dhe na jena si pikë referuese e grave”, thotë Jonuzi duke shtuar se popullata e Kosovës ende duhet të arsimohet për të raportuar dhunën në familje. Jonuzi përmend faktin se rastet e dhunës në familje janë të referuara nga institucionet, qendrat për punë sociale dhe nga Policia e Kosovës.

Pabarazia gjinore e krijon dhunën në familje /gjinore
Nazife Jonuzi thotë se dhuna në familje shkaktohet nga pabarazia gjinore në familje. “Normal që dhuna më e shprehur është në vende rurale ku statusi i gruas është më i ulët, dmth nuk e ka të drejtën sikur vëllau i vet me u shkollue edhe vajza” “, shton ajo.
Jonuzi tregon se sfida më e madhe është fakti se jo të gjitha gratë mund të raportojnë dhunën në familje dhe në rastet kur e raportojnë ato nuk mund të shpëtojnë nga mjedisi ku janë duke u abuzuar fizikisht.
“Të gjitha rastet që referohen këtu janë konfidenciale, anonime, iu kemi thënë grave që nuk ka nevojë as me u prezantu me emër dhe mbiemër dhe na mundohemi me ato format tona me i ndihmu”, shton Jonuzi.
Procesi i ri-integrimit të grave që kanë vuajtur dhunë në familje është i gjatë dhe i shtrenjtë, dhe në shumicën e rasteve viktima kthehet në mjedisin e dhunshëm . “Pas 3-4 muajve, pas një viti gratë prapë kthehen në strehimore, askush nuk mirret me trajtimin e dhunuesve të grave”, thotë drejtoresha Jonuzi. Megjithatë ajo shpjegon se janë “regjistruar rezultate pozitive në rastet kur kemi ftuar anëtarët e familjes dhe u kemi treguar qendrën , shërbimet tona dhe ata e panë këtë si diçka pozitive”.
Rreth 70 për qind e grave që kërkuan ndihmë nga “Liria” - Qendra për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave dhe fëmijëve, kthehen në shtëpitë e tyre ku ato kanë qenë të ekspozuar ndaj dhunës në familje, sepse ato nuk kanë punë dhe mundësi të tjera që të mbështesin finanaciarisht veten dhe fëmijët e tyre.

Mesazhi i Nazife Jonuzit për rininë lidhur me perceptimin e dhunës gjinore në Kosovë
Dhuna nuk e zgjidhë problemin por shkakton problem në shoqëri, andaj ne si shoqëri duhet ti dalim në ndihmë kësaj kategorie shumë të ndieshme. Duhet të denoncojmë dhunën dhe të mos heshtim. Vetëm të barabartë, si shoqëri mund të ecim përpara. Qendra e jonë është si pike referuese për ofrimin e shërbimeve për gratë viktima të dhunës në familje andaj programi i qendrës është në fuqizimin e gruas, të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Ekzistimi i qendrës është shumë esencial me vetë faktin se është një qendër, një pikë referuese për gratë të cilat kërkojnë ndihmë, jo vetëm për gratë në strehimore por edhe për gratë jashtë strehimores dhe ato të komunitetit jo-shumicë.



 

 

Komentet

  • Blerim Krasniqi
    11:54 | 25.11.2013

    Vetem suksese, shpresoj qe secilin vit te bie numri i rasteve te dhunes ne familje

  • Arian
    22:43 | 24.11.2013

    DAY 1 / International day for the Elimination of Violence against Women

Komento