Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Heronjtë dhe Heroinat e përditshme për barazi gjinore

Ekspozita e fotografive Heronjtë dhe Heroinat e përditshme për barazi gjinore është shfaqur në katër ekspozita në Gjilan (29 nëntor), Gjakovë (29 nëntor), Prishtinë (5 dhjetor) dhe në Rahovec (6 dhjetor). Gjashtëmbdhjetë fotografitë, që e përbënin ekspozitën, janë bërë nga të rinjtë e grupmoshës 14-20 vjeçe dhe portretizojnë heronjtë dhe heroinat e tyre personale për barazi gjinore. Fotografitë paraqesin njerëz, të cilët, në jetën e tyre të përditshme, në një mënyrë apo tjetër, luftojnë për të arritur një shoqëri më të barabartë. Të portretizuarit përfshijnë gruan e vetme taksiste në Kosovë, një baba që i bën punët e shtëpisë, vajzat rome, ashkalie dhe egjiptiane që luftojnë për arsimimin e tyre dhe një një gjysh i cili i rritë të gjithë fëmijët e tij në mënyrë të barabartë. Shumë prej të rinjve ishin të pranishëm gjatë aktiviteteve të ndryshme rrugore, dhe ata kanë ndërvepruar me kalimtarë të rastit, duke diskutuar për fotografitë e tyre dhe mbi rëndësinë e dhënies fund të dhunës në baza gjinore.

Gjatë të katër ekspozitave, mbi 1200 njerëz votuan dhe diskutuan me të rinjtë. Në Gjilan, kryetari i komunës Lutfi Haziri dhe Ministri i Shëndetësisë dr. Imet Rahmani, u takuan me të rinjë të cilët po merrnin pjesë në 16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore. Pas votimit për fotot e ekspozuara kryetari i komunës tha “ndodhem këtu si kryesues i mekanizmit koordinues komunal kundër dhunës në familje dhe dua t’i falenderoj, burrat dhe gratë, për punën që po e bëjnë në parandalimin e dhunës në familje”. Mekanizimi koordinues është një trup koordinues i përbërë nga strukturat komunale, policia, gjyqësori dhe shoqëria civile, që synon të koordinojë më mirë reagimin e tyre ndaj dhunës në familje. Ky mekanizëm është krijuar me ndihmën e UN Women, nën udhëheqjen e kryetarit të komunës, si pjesë e programit të Ekipit të OKB-së në Kosovë, për mbrojtjen kundër dhunës në familje.

Vullnetarët nga OJQ PEA poashtu e kanë mbështetur aksionin rrugor në Gjilan, dhe kanë ndihmuar në shpërndarjen e fletëvotimeve dhe kanë informuar vizitorët rreth fushatës. Kurse, në Prishtinë, ekspozita rrugore është mbështetur nga vullnetarë të komunës së Prishtinës të cilët kanë shpërndar fletushka nga Agjencioni për Barazi Gjinore pë të ngritur ndërgjegjën rreth dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje, se bashku me fletëvotime për ekspozitën. Gjithashtu, më shumë se 20 fëmijë nga projektit ‘Stop ngacmimit’ nga “Building Blocks for Success” kanë shpërndar feltushka me informata se si të ndalet ngacmimi dhe kanë informuar kalimtarët rreth ekspozitës.

Gjatë ekspozitës së fundit në Rahovec, drejtori i urbanizmit, Fehmi Hoxha e vizitoi atë dhe tha ”më la shumë përshtypje fotografia e gruas me nevoja të veçanta, por të gjitha fotografitë ilustronin veçantinë e tyre. I përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit për këtë nismë të qëlluar. Duke marrë parasysh nivelin e pabarazisë gjinore dhe të dhunës në baza gjinore në Kosovë, këto ngjarje, dita ditës po ngjallin shpresë dhe po bëjnë dallimin që i duhet Kosovës”.