Nëse jeni viktimë apo dëshmitar/e e dhunës, mund të
kërkoni ndihmë apo të lajmëroni rastin në SOS linjën falas:
0800 11112

Orange your City

Në datën 30 Nëntor, 2015, ndërtesa kryesore e Qeverisë së Kosovës është ndriçuar me ngjyrë portokalli për të shënuar 16 Ditët të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore. Gjatë këtyre 16 ditëve, qindra ndërtesa dhe monumente anembanë botës janë ndriçuar me ngjyrën portokalli. Potokallia është ngjyra zyrtare e fushatës e cila simbolizon një të ardhme më të ndritur dhe një botë të lirë nga dhuna kundër grave dhe vajzave.

Në këtë ngjarje, Zëvëndësministri i Drejtësisë dhe Koordinator Kombëtar kundër dhunës në familje, Z. Lirak Çelaj tha se “Ngjyrosja e ndërtesës së qeverisë me ngjyrë portokalli është e një rëndësie të vecantë duke qenë se në një mënyrë pasqyron zotimin institucional që dhuna të luftohet përmes infrastrukturës ligjore në fuqi. Në anën tjetër, është një mesazh simbolik që reflekton një shoqëri të hapur dhe të vendosur që të bëhet partnere e përpjekjeve institucionale në çrrënjosjen e dhunës. Shpresojmë e jemi të bindur që ky mesazh simbolik do të ndikojë në vetëdijësimin që një shoqëri e shëndoshë është ajo që kultivon harmoninë dhe respektin e ndërsjellë familjar e shoqëror”.

Për më tepër, Z. Andrew Russel nënvizoi se “Për mua, akti simbolik i ndriçimit të ndërtesës së Qeverisë me të portokalltë—si pjesë e fushatës globale “portokallizo botën” gjatë 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore—është ide e mrekullueshme për dy arszje: Së pari, i shtyen njerëzit të pyesin “pse ndërtesa e Qeverisë me të portokalltë?” Me fjalë tjera, i shtyen njerëzit të flasin. Dhe me shpresë, në vitet e ardhshme, përderisa e vazhdojmë këtë traditë, çdo herë e më shumë njerëz fillojnë të flasin kundër dhunës ndaj grave dhe pse duhet të gjithë të punojmë së bashku për t’i dhënë fund kësaj dhune. Së dyti, i kujton kosovarët që janë, në fakt, shumë të lidhur me disa nga debatet dhe proceset më kritike globale të ditës së sotme. Është demonstrim se si Kosova është pjesë e një lëvizje mbarë-botërore, e udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, dhe përkhrahur nga UN Women dhe të tjerë, për të eliminuar të gjitha format e dhunës ndaj grave. Kosovarët janë duke u thënë të mbijetuarëve të dhunës në familje dhe të dhunës në baza gjinore kudo, zëshëm dhe qartë: JEMI ME JU.

Kjo ngjarje u organizua nga UN Women dhe Agjencia për Barazi Gjinore në emër të Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) si pjesë e fushatës së tyre 16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore.